100 mijë e 620 doza të vaksinave nga COVAX janë premtuar të vijnë në Kosovë gjatë këtij muaji. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se këto doza të vaksinave do të vijnë në Kosovë këtë javë, megjithatë ato ende nuk janë bërë gati për nisje.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur dje se gjatë kësaj jave Kosova do të furnizohet me rreth 100 mijë vaksina.
Nga UNICEF bëhet e ditur se këto vaksina ende nuk janë bërë gati për transportim në Kosovë.
Në faqen e UNICEF-it ku paraqiten të dhënat për furnizim me vaksinat e COVAX, e nisja e këtyre dozave për në shtetet pjesëmarrëse, shihet se ato ende nuk janë bërë gati për t’u nisur për në Kosovë.
Ndërsa, nga aleanca e vaksinave Gavi nuk kanë dhënë informacione se kur do të vijnë këto vaksina në Kosovë, ndonëse janë shprehur që informatat për furnizim mund t’i marrim në faqen e UNICEF-it.
Megjithëse kanë mbetur edhe 4 ditë pasi ditës së sotme, ministri Vitia ka deklaruar dje se gjatë kësaj jave presin një kontigjent prej rreth 100 mijë dozave përmes Aleancës COVAX, kështu që sipas tij, gjatë muajve të ardhshëm do të arrijnë të vaksinojnë popullatën më në rrezik.
Ndërsa, me furnizimin me këto vaksina, po parashihet të fillohet me dhënien e dozës së dytë të vaksinës.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se dhënia e dozës së dytë të vaksinës do të filloj nga data 8 qershor.
Kosova pa asnjë kontratë të nënshkruar, e varur nga donacionet e BE-së dhe COVAX-it
Kosova ende nuk ka arritur të nënshkruajë asnjë kontratë për furnizim me vaksina.
Vaksinimi i qytetarëve po vazhdon të varet nga donacione, kryesisht nga ato të COVAX’it dhe Bashkimit Evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez, ka deklaruar për Express se vaksinat e premtuara për Kosovën dhe shtetet tjera, po shpërndahen javë për javë.
Ajo ka thënë se rreth 95 mijë vaksinat e premtuara për Kosovën do të plotësojnë dozat e marra nga COVAX.
“651.000 dozat e financuara nga BE’ja të vaksinave COVID-19 për Ballkanin Perëndimor të siguruara në prill, po shpërndahen në këste javore, nga të cilat Kosova do të marrë rreth 94.600 deri në gusht dhe natyrisht këto do të plotësojnë dërgesat nga COVAX, ku BE është një kontribues me mbi 2.77 miliardë euro”, ka thënë ajo.
Pisonero-Hernandez ka deklaruar se do të vazhdojnë kontaktet me shtetet anëtare të BE’së për të siguruar më shumë vaksina për Ballkanin Perëndimor.
“Komisioni aktualisht po punon me Shtetet Anëtare për zbatimin praktik të këtij angazhimi. Dozat do të dhurohen nga Shtetet Anëtare ose përmes COVAX ose në mënyrë bilaterale”, ka thënë ajo.
Ndërsa, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave “Gavi”, kanë thënë për Express se prioritet i tyre është që të arrijnë të furnizojnë shtetet me të ardhura të ulëta me vaksina.
Nga COVAX kanë thënë se po punojnë me qeveritë që kanë më shumë doza të vaksinave e që mund t’i ndajnë me ta, në mënyrë që ato pastaj të ofrohen për personat më të rrezikuar në botë.
“Prioriteti ynë tani, krahas financimit të plotë të (AMC) Gavi-COVAX, për të na lejuar që të mbyllim furnizimin me 1.8 miliardë doza në vendet me të ardhura më të ulëta dhe përfundimin e marrëveshjeve me furnizuesit e rinj, është që të punojmë me qeveritë që kanë furnizime për t’i ndarë me COVAX, kështu që ato mund të vihen në përdorim sa më efektiv, duke mbrojtur njerëzit më të rrezikuar në botë”, është thënë nga Gavi.
Kujtojmë që Kosova vazhdon të jetë larg shteteve tjera sa i përket furnizimit me vaksina e vaksinimit të popullsisë.
Për këtë është kritikuar Ministria e Shëndetësisë.
Nga kjo e fundit, tashmë disa ditë nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me furnizimin me vaksina