Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në fshatin Korroticë e Ulët të Drenasit, ku si pasojë kanë vdekur dy gra, ndërsa janë lënduar edhe 5 persona, tre prej tyre fëmijë.
Të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë, përkundër lëndimeve të marra.
Lajmin për aksidentin e djeshëm e ka konfirmuar për Express drejtori i Qendrës Kryesore të Mjeksësisë Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas, Ismet Bogiqi, i cili ka treguar se dy viktimat kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, një prej të cilave është nisur për t’u transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, megjithëse nuk ka mundur t’i përballojë plagëve të marra dhe gjatë rrugës ka vdekur.
Ndërsa, mjekë në emergjencën e kësaj qendre kanë dhënë detaje për Express për viktimat dhe të lënduarit.
Ata kanë treguar se një nga viktimat është e moshës 26 vjeçare dhe është nga fshati Burojë, ndërsa tjetra është e moshës 48 vjeçare nga fshati Vërboc i Drenasit. Të dy viktimat janë familjare.
Ata kanë treguar se viktimat janë sjellë në qendër me lëndime të rënda, lëndime të brendshme dhe të jashtme.
Njëra nga viktimat ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran dhe tjetra në Drenas. Njëra nga viktimat ishte dërguar pa shenja jete për trajtim.
“Të lënduarit janë sjellë me 4 autoambulanca. Ndërsa viktimat kanë pasur lëndime gjithkah, kanë pasur lëndime të jashtme dhe të brendshme, kanë pasur edhe ndrydhje. Një nga viktimat ka ndërruar jetë në Drenas, ndërsa tjetra duke u transportuar për në QKUK. Pasi ka ndërruar jetë, autoambulanca është kthyer prapa për të marrë pacientët tjerë për t’i dërguar në QKUK”, është thënë për gazetën.
Ndërsa, të lënduar kanë mbetur edhe tre fëmijët e viktimave(dy djem dhe një vajzë) dhe dy burra, njëri prej të cilëve nuk është familjarë i tyre dhe është nga Komuna e Suharekës.
Fëmijët janë të moshës 8 vjeçare, 10 vjeçare dhe 17 vjeçare.
Djali 8 vjeçar sipas mjekëve ka të thyer dorën dhe këmbën, ndërsa të gjithë të lënduarit tjerë kanë shpëtuar me dëmtime më të lehta.
“Në aksident kanë qenë të lënduar 5 persona. Një fëmijë është 7-8 vjeç, ai ka pasur të thyer këmbën dhe dorën. Ndërsa fëmija tjetër është i lindur në vitin 2004 dhe vajza në vitin 2011. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë dërguar në QKUK”, është thënë nga QKMF në Drenas.
Ndërsa, lajmin për aksidentin e djeshëm e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Ju njoftojmë se dy nga personat, e lënduar që ishin dërguar për tretman mjekësor, njëra në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran dhe tjetra në Drenas, nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtat kanë ndërruar jetë”, është thënë nga PK.
Kujtojmë që aksidentet në trafik në Kosovë janë të shpeshta, ku si pasojë edhe numri i viktimave vit pas viti është i lartë.