Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar qeverinë e Kosovës dhe ministrin Liburn Aliu për vjedhje të buxhetit të Kosovës.
Haradinaj në seancën e Kuvendit ka thënë se Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka anuluar një tender që ka qenë për tre vjet në vlerë 40 milionë euro dhe ka shpallur tenderin tjetër një vjeçar në vlerë 20 milionë euro duke i shkaktuar humbje Kosovës pasi tenderi i njëjtë do të kushtojë 66 milionë euro për tre vitet e ardhshme.
“Ai ministër është duke e vjedhur Kosovën më se keqi, Liburn Aliu, ai i ka ndalë një tender 40 milionësh për tre vjet dhe e ka shpallë një tender 22 milionësh për një vjet dhe po del po i thotë Kosovës po ia shtoj paret, jo zotni jeni duke e vjedhur paret. 66 milionë i bëhet Kosovës tenderi 44 milionësh i qeverisë së mahershme. Ku po mendon se jeton ai njeri, që guxon me fol kështu”, tha Haradinaj.
Haradinaj tutje në fjalën e tij tha se sektori privat është në gjendje lufte nga qeveria Kurti.
“Kur keni ardhur ju nuk keni pasur guxim me ju bë shtesa pensionistëve, keni mendu se me këtë e menaxhoni gjendjen, nuk jeni kërkund duke punu për ligjin e pagave dhe nuk keni koncept ekonomik, sot sektori privat është në gjendje lufte prej qeverisë suaj”, ka thënë ai.