Saturday, November 23, 2024
HomeTop LajmetDetaje të reja: Çka u konfiskua në Lipjan përveç 400 kilogramëve kokainë

Detaje të reja: Çka u konfiskua në Lipjan përveç 400 kilogramëve kokainë

Mesditën e së hënës në Lipjan janë gjetur dhe sekuestruar 400 kilogramë substanca narkotike, e cila dyshohet të jetë kokainë. Përveç substancave narkotike, janë sekuestruar edhe armë, fishekë, para, veturë e telefona.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se pas hetimeve të përbashkëta të Drejtorisë së Hetimeve të Trafikimit me narkotikë, me policinë italiane dhe atë të Shqipërisë, është kontrolluar depoja e një kompanie në Lipjan ku janë gjetur dhe konfiskuar 400 kilogramë sasi e dyshuar e substancave narkotike.

Gjatë kontrollit në disa lokacione tjera, policia ka gjetur edhe para të gatshme në euro e në denarë, revole e fishekë.

Përveç këtyre, janë gjetur dhe konfiskuar edhe gjashtë telefona celularë e gjashtë kompjuterë.

“Rr. Lidhje e Prizrenit, Lipjan (NN) 17.05.2021-11:10. Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me narkotik në koordinim me policinë italiane dhe shqiptare, pas një hetimi të përbashkët gjatë kontrollit në depon e një kompanie kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 400 kg, ndërsa gjatë kontrollit në disa lokacione tjera janë gjetur dhe sekuestruar: dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 €  para kesh, 200 denar MK, një veturë,  6 telefona celular,  6 PC,  dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc”, ka njoftuar policia.

Po ashtu, lidhur me këtë janë arrestuar shtatë persona, të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarre në konsultim me gjyqtaren e procedurës paraprake dhe prokurorin e prokurorisë speciale. Shtatë të dyshuar meshkuj kosovar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndryshe, në një konferencë për media, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar të hënën se substanca narkotike e sekuestruar dyshohet të jetë kokainë.

“Gjatë këtij operacioni policor deri më tani janë arrestuar shtatë persona shtetas të Republikës së Kosovës dhe janë konfiskuar 400 kg substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, një armë dhe vetura të ndryshme, kamionëve dhe gjësendeve tjera”, u tha në konferencë.

“Personave të arrestuar, në konsultim me prokurorinë kompetent u është caktuar masa e ndalimit deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është në kërkim edhe të disa personave të tjerë të dyshuar tashmë të njohur për Policinë dhe që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal”, u tha tutje.

Katërqind kilogramë kokainë u kapën në një konteiner me mish që vinte nga Brazili. Ndërkohë kokaina ishte futur në disa pako kartoni, ndërsa ambalazhi dyshohet të jetë i ngjashëm me paketimin e mishit për tu kamofluar.

Lidhur me këtë rast, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media bëri të ditur se vlera e kokainës së konfiskuar kap shifrën rreth 20 milionë euro.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, autoritet italiane dhe auto amerikane. Janë konfiskuar 400 kg kokainë vlera e të cilave arrinë rreth 20 milionë euro. Po ashtu janë konfiskuar disa makina dhe mjete tjera. Gjatë hetimit janë përdorur masa të fshehta duke shikuar lëvizjen e të dyshuarve nga Italia deri në vendin tonë”, ka deklaruar Lumezi

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments