Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë miliona doza të vaksinave kundër koronavirusit në shtetet tjera, me qëllim të rritjes së shkallës së vaksinimit, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden më 17 maj.
Biden ka thënë se ky hap synon të rikthejë udhëheqësinë amerikane në luftën globale kundër pandemisë, teksa ka përmendur edhe përpjekjet e Kinës dhe Rusisë, të cilat kanë shfrytëzuar programet e tyre të donacionit, për të rritur ndikimin në botë.
Biden ka konfirmuar se 20 milionë dozat do të dërgohen nëpër shtete në gjashtë javët e ardhshme, derisa deri në fund të muajit qershor, totali pritet të arrijë në 80 milionë, çka e bën SHBA-në lidere në donacione të vaksinave.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se 80 milionë vaksina është shumë pesë herë më e madhe sesa donacioni i çdo shteti tjertër.
“Rusia dhe Kina kanë bërë donacion 15 milionë doza. Ju e dini se flitet shumë për Kinën dhe Rusinë që synojnë të rrisin ndikimin përmes vaksinave. Ne duam ta udhëheqim botën me vlerat tona dhe me këtë demonstrim të inovacionit tonë, zgjuarsisë dhe mirësjelljes themelore të popullit amerikan, ” ka thënë ai.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë të ditur se cilat vende do të pranojnë këto donacione.
Shtetet e Bashkuara janë goditur më së rëndi nga pandemia.
Megjithatë, autoritetet amerikane deri më tani kanë dhënë më shumë se 272 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit.
Aktualisht numri i të vdekurve ka rënë në shkallën më të ulët në disa muaj.