Sunday, November 24, 2024
HomeBotaIzraeli vazhdon sulmet ajrore në Gaza

Izraeli vazhdon sulmet ajrore në Gaza

Izraeli ka vazhduar edhe të hënën në mëngjes fushatën e sulmeve ajrore në qytetin e Gazës, pavarësisht thirrjeve për t’i dhënë fund luftës.

Aeroplanët luftarakë izraelitë ndërmorrën 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit hapën një breshëri raketash në Izraelin jugor.

Përmes një deklarate, Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha se “avionët luftarakë po godasin objektivat e terroristëve në Rripin e Gazës”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se sulmet do të vazhdojnë me “forcë të plotë” dhe do të “marrin kohë”.

E diela, dita më vdekjeprurëse në Gaza

Zyrtarët palestinezë në Gaza thonë se e diela ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve me Izraelin.

Nga sulmet ajrore izraelite janë vrarë më shumë se 40 njerëz, thanë zyrtarët. Ushtria e Izraelit thotë se ka shënjestruar udhëheqësit dhe infrastrukturën e lidhur me Hamasin.

Lëvizja islamike, Hamas, e cila konsiderohet terroriste nga Izraeli, lëshoi një seri raketash drejt Izraelit jugor brenda natës dhe gjatë pasdites.

Miliona izraelitë u grumbulluan në strehimore.

Ushtria e Izraelit thotë se militantët palestinezë kanë qëlluar më shumë se 3,000 raketa në drejtim të Izraelit gjatë javës së kaluar.

Dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në sulmet me raketa që kur filluan luftimet të hënën e kaluar, ka thënë Izraeli.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e KS të OKB-së?

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent për të diskutuar situatën në Lindje të Mesme por 15 anëtarët nuk ishin në gjendje të bien dakord mbi një deklaratë të përbashkët.

Shtetet e Bashkuara – një aleat i fortë i Izraelit – thuhet se bllokuan masën, duke besuar se do të ishte e padobishme në procesin diplomatik.

Në takimin e së dielës, ambasadorja amerikane, Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA-ja ishte e gatshme të ofronte mbështetje “nëse palët kërkojnë një armëpushim”.

Ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki, foli për sulmin e së shtunës në një kamp refugjatësh, i cili vrau 10 anëtarë të së njëjtës familje.

“Izraeli shpesh na kërkon të vendosim veten në vendin e tyre”, tha ai, duke shtuar, “por ata nuk kanë veshur këpucë. Ata janë të veshur me çizme ushtarake”.

Si përgjigje, përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit, Gilad Erdan, përmendi vdekjen e një vajze 10-vjeçare arabo-izraelite, e vrarë nga një raketë e Hamasit.

Ai këmbënguli se Izraeli ishte duke “çmontuar infrastrukturës terroriste dhe po shmang viktimat civile”.

Erdan i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të dënojë Hamasin, por paralajmëroi se Izraeli do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur veten.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka paralajmëruar se luftimet e mëtejshme mund ta fusin rajonin në një “krizë të pakontrollueshme”.

Thirrjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se administrata e tij po punon me palestinezët dhe izraelitët drejt një qetësie të qëndrueshme.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka diskutuar për situatën me ministrat e jashtëm të Katarit, Egjiptit dhe Arabisë Saudite, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Vershinin, më 16 maj bëri thirrje për t’i dhënë fund menjëherë dhunës dhe për të rihapur dialogun palestinezo-izraelit të paqes.

Një grup ligjvënësish amerikanë gjithashtu bënë thirrje që dhuna të ndalet. Njëzet e tetë demokratë të Senatit lëshuan një deklaratë më 16 maj duke kërkuar që ushtria e Izraelit dhe Hamasi të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.

“Për të parandaluar çdo humbje të mëtejshme të jetës civile dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Izrael dhe territoret palestineze, ne kërkojmë një armëpushim të menjëhershëm,” thanë 28 senatorët, në deklaratën e udhëhequr nga senatori Jon Ossoff, i cili është hebre.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Gaza tani ka arritur në 188 persona, përfshirë 55 fëmijë dhe 33 gra, me 1,230 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetit të kontrolluar nga Hamasi. Izraeli thotë se dhjetëra militantë janë mes të vdekurve.

Zyrtarët izraelitë thonë se 10 njerëz janë vrarë në Izrael, duke përfshirë një djalë 5-vjeçar dhe një ushtar izraelit.

Grupi militant islamik Hamas filloi sulmin me raketa në Izrael, pas disa javësh tensionesh në Jerusalem mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Sulmet pasuan kundërshtimet për një çështje gjyqësore për të dëbuar disa familje palestineze në Jerusalemin Lindor dhe në shenjë hakmarrjeje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa të qytetit, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Izraeli në shenjë hakmarrjeje nisi sulme ajrore dhe artilerie në Gaza.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments