Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës, prezantimi i programit qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në seancë.
Në këtë seancë do të diskutohet vetëm një pikë e rendit të ditës.
Nga ora 10:00, deputetët do të diskutojnë për Programin e Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025.
Programi i Qeverisë është miratuar javën e kaluar në mbledhjen e ekzekutivit.
Programi qeverisës do të fokusohet në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale.
Kurti ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Ndërsa ka premtuar reforma në drejtësi ku vettingu do të jetë fjala kryesore e kësaj reforme.
Po ashtu Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës do të bëhen reforma në skemat sociale duke ofruar mbështetje për familje me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë e punësime për moshat e reja. Ai ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale në 250 euro.
Kurti ka premtuar se gjatë këtyre katër vjetëve të qeverisjes, do të përmbyllet zhvillimi i sistemit informimin shëndetësor dhe do të fillohet me rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë mandatit qeverisës, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE dhe për anëtarësim në Kartën e Adriatikut. Ai po ashtu ka thënë se qeveria e tij është duke përgatitur dosjen për të paditur Serbinë për gjenocid, teksa dialogun e ka renditur prioritet të katërt për qeverinë e tij.
Opozita ka kritikuar në vazhdimësi Qeverinë Kurti për mos publikimin me kohë të planit qeverisës.