Për Enver Dugollin, deputet i VV-së, është krejt normale që xhaxhai i Glauk Konjufcës është emëruar këshilltar në ministrinë e Mbrojtjes, pavarësisht deklarimeve të mëhershme të Albin Kurtit se “kushërinjtë e të afërmit duhet lënë te shpia, e jo nëpër ministri”.
Me anë të një postimi në Facebook, Dugolli i ka sulmuar mediat që raportuan, duke aluduar në faktin se një gjë e tillë nuk përbën lajm.
“E paskan “zbuluar” ujin e nxehtë”, ka shkruar ai.
Madje këtë punësim familjar ai e konsideron krejt normal, pasi që sipas tij xhaxhai i Konjufcës është një njeri profesional.
Postimi i plotë:
Shumë zhurmë për asgjë
Disa portale paskan filluar të krijojnë “lajm” se si ministri i Mbrojtjes e paska marr këshilltar politik një të afërm të kryeparlamentarit Konjufca.
E paskan “zbuluar” ujin e nxehtë.
Rabit Konjufca
është ish pjesëtar i UÇK-së,TMK-së dhe FSK-së. Pas pensionimit u shqua si aktivist i LV-së, dhe si njeri profesional dhe i ngritur edhe anëtar i Komitetit Profesional për Mbrojtje dhe Siguri dhe tani natyrshëm këshilltar politik në kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Eksperienca, dija dhe ndershmëria e tij janë të vlefshme për Ministrin Mehaj dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Është për keqardhje kjo tendenca e disa portaleve kur mundohen të krijojnë mjegull kur situata është e çiltër kristal.
Le ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë (edhe pse besoj e dijnë), se këto poste janë politike dhe njerëzit që bëhen pjesë në këto kapacitete, përveçse duhet të jenë profesional, të ndershëm e punëtor, duhet të jenë të besueshëm edhe politikisht.
Mos po u dashka që këshilltar politik të kabineteve të vendosen njerëz nga taborët tjera politike si PDK, LDK, AAK…?.