Monday, April 28, 2025
HomeLajmeKosovaVendimi i ZRRE-së për kompensim të qytetarëve është bllokuar nga KEDS-i

Vendimi i ZRRE-së për kompensim të qytetarëve është bllokuar nga KEDS-i

Avokati i Popullit i ka bërë sërish kërkesë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të fillojë kompensimin e qytetarëve për energjinë elektrike të shpenzuar në veri mes viteve 2013-2017, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë vendimi i ZRRE-së për kompensim është bllokuar nga KEDS-i që thotë se nuk ishte palë në kontest.

Halit Berani, një aktivist i të drejtave të njeriut e quan diskriminim, jo vetëm mospagesën e barabartë të konsumatorëve në Kosovë për energjinë, por edhe moskompensimin e qytetarëve që u detyruan të paguajnë për një pjesë tjetër që nuk kanë paguar që nga viti 1998.

“Kjo është më shumë se diskriminim. Është dashur prej fillimi të ndodhë kjo siç kemi paguar ne dhe të mos shkojë në gjykatë. Por i kanë privilegjuar (konsumatorët serbë)”, i ka thënë Berani Radio Kosovës.

Një vit pasi është dashur të fillojë zbatimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të kompensuar qytetarët në kthim të më shumë se 41 milionë eurove, Avokati i Popullit që kishte iniciuar këtë proces në gjykatë, ka kërkuar sërish implementimin e tij.

Petrit Çollaku, nga Zyra e Avokatit të Popullit, thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë duhet të riparojë këtë diskriminim të qytetarëve.

“ Me 28 mars Avokati i ka bërë një kërkesë tjetër ZRRE-së për kompensim, ngase ky lloj faturimi ishte shkelje e ligjit për mbrojtje nga diskriminimit, çdo vonesë paraqet shkelje”, i ka thënë Çollaku Radio Kosovës.

Në vitin 2018, një vendim i Gjykatës Themelore urdhëroi që konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë të kompensohen për mbulimin e faturave të katër komunave me shumicë serbe, ku konsumatorët nuk kishin paguar për energji elektrike që nga lufta e viteve 1998-99.

Kreu i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzuallahu, i ka thënë Radio Kosovës se zbatimi i këtij vendimi do të jetë një proces i komplikuar dhe më e vështirë gjetja e mjeteve për kompensim.

“Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ZRRE ka marrë vendim për kompensim, por janë mekanizmat tjerë që mund ta detyrojnë KEDS ta zaptojë me dhunë këtë vendim”, ka thënë Fejzullahu.

Shtatë vjet më vonë, pritja për kompensim vazhdon, pasi vendimi i ZRRE-së është bllokuar sërish në gjykatë nga kompania private e Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë (KEDS), duke argumentuar se nuk ishte palë në kontestin mes Avokatit të Popullit dhe ZRRE-së për kompensimin e konsumatorëve.

Zëdhënësi i KEDS, Lulëzim Krasniqi, i ka thënë Radio Kosovës se kompania bazuar në kornizën ligjore, ka pezulluar këtë vendim derisa gjykata të vendosë për rastin.

Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku banorët nuk janë faturuar për energjinë që përdorin që nga viti 1999, për shkak të sigurisë dhe ndikimit të vazhdueshëm të Serbisë, mbetet ende problem faturimi dhe inkasimi i shpenzimeve të energjisë.

Në vitin 2022, bazuar në një marrëveshje në Bruksel, autoritet në Kosovë licencuan kompaninë “Elektrosever”, për të faturuar dhe inkasuar rrymën në veri, por zyrtarët e kësaj kompanie i kanë thënë Radio Kosovës se inaksimi aktual është vetëm rreth 10 për qind .

Sipas të dhënave të qeverisë, vlera e energjisë elektrike të papaguar që nga viti 1999 është rreth 320 milionë euro.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments