
Haki Bela 25-vjeçar, Diamant Gashi 21-vjeçar, Rilind Murati 21-vjeçar, Vatan Çaka 19-vjeçar, Edmond Lika 22-vjeçar dhe Shkëlqim Kuka 22-vjeçar u dërguan në paraburgim nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer organizimin dhe vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika, më 01.04.2025 në objektin e banesës së tij e cila gjendet në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.
KALLXO.com zbulon se çka thanë të dyshuarit në lidhje me veprimet të cilat dyshohet se i kreu grupi në natën kritike, veprime këto për çka po i ngarkon prokurori i rastit Ismet Rrahmani.
Në sallën e Gjykatës së Ferizajt në të cilën u mbajt seanca e procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve, Haki Bela ka shprehur keqardhje për familjen e rreshterit policor në lidhje me rastin.
Ai ka mohuar të jetë i involvuar në këtë ngjarje deri sa ka kërkuar nga Gjykata që t’i caktohet një masë më e lehtë për shkak se është i vetmi që mban familjen në aspektin financiar.
Haki Bela është edhe vëllai i të miturit R.B., 17-vjeçar, i cili dyshohet se ishte dorasi i vrasjes së rreshterit policor, Muhamet Lika.
“Personalisht e përshëndet familjen e viktimës Muhamet Lika, ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur por shton se mund të ndodh diçka mes familjes së tij dhe familjes së të ndjerit. Shton se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale dhe i vetmi fakt është që ai e ka lokalin në afërsi të vendit të ngjarjes dhe atë rreth 200 metra distancë, po ashtu shton se shtëpia ku ai banon me stacionin policor në Kaçanik i kanë rreth 100 metra distancë dhe se ai e frekuenton çdo ditë atë rrugë”- është shprehur në seancën e sotme (22.04.2025) i pandehuri Bela sipas dosjes së Gjykatës të siguruar nga KALLXO.com.
Në bazë të dosjes, i pandehuri ka thënë se ai personalisht e as familja e tij asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem me të ndjerin apo familjen e tij.
Një tjetër i pandehur është edhe Diamant Gashi, 21-vjeçar. Edhe ky ngjashëm si Bela ka mohuar të jetë i involvuar në këtë ngjarje.
“Në ditën kritike ka qenë në shtëpi, nuk ka kryer asnjë nga veprimet të cilat u cekën në kërkesën për caktimin e masës nga ana e Prokurorisë. Pra ndihet tërësisht i pafajshëm dhe shton se lajmin për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika e ka marrë nga ana e prindit të tij dhe atë në mëngjes të ditës së nesërme”- është deklaruar në Gjykatë në seancën për caktimin e masës së sigurisë Diamant Gashi.
Rilind Murati, 21-vjeçar, i cili për një vit shërbeu si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës e më pas me kërkesë të tij u bë edhe demobilizimi i tij nga ky institucion ushtarak, ka mohuar të jetë përfshirë në rast.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës. Nuk kam tjetër çka të deklaroj përpos që është plotësisht i pafajshëm dhe nuk është i involvuar në këtë çështje penale”- citohet Murati sipas dosjes së Gjykatës.
Tutje KALLXO.com zbuloi edhe deklarimin e 19-vjeçarit Vatan Çaka. Para gjyqtares së procedurës paraprake, Fitore Daci, Çaka ka thënë se kishte shkuar në vendin e ngjarjes nga kureshtja pasi kishte marrë vesh se një veteran i UÇK-së ishte vrarë.
“I mbështet deklarimet e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të deklarojë, shton se nuk është absolutisht i involvuar në këtë çështje penale. Natën kritike pasi që ka dëgjuar alarme të shumta të Policisë ka shkuar në vend ngjarje vetëm nga kureshtja për të parë se çfarë ka ndodhur aty, pasi që paraprakisht nga rrjetet sociale e ka kuptuar që bëhet fjalë për një viktimë, veteran i UÇK-së, gjithashtu shton faktin se këtë e ka bërë sepse e ka prindin veteran të UÇK-së dhe i njëjti ende vuan nga pasojat e traumave të luftës dhe absolutisht në asnjë mënyrë nuk ka mundur t’ia bëjë një gjë të tillë një ish- veterani të luftës së UÇK-së”- është deklarimi i 19-vjeçarit siç përshkruhet në dosje.
Edmond Lika, 22-vjeçar, është i pandehuri i pestë, i cili sot doli para gjyqtares së procedurës paraprake për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika.
“Mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka deklaron, shton se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale dhe në vendin ku ka qenë së bashku me Shkëlqim Kukën ka qenë krejt rastësisht”- është deklaruar Lika.
I fundit është Shkelqim Kuka, 22-vjeçar. Ngjashëm edhe ky kishte mohuar involvimin e tij në rast.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të shtojë përpos faktit se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale”- thuhet në dosjen që ka siguruar KALLXO.com.
Nën masa të rrepta të sigurisë, me pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë e ata të Njësisë Speciale Operative u sollën të pandehurit në Gjykatën e Ferizajt.
Nga ora 13:00 ishte planifikuar që të niste seanca për caktimin e masës së sigurisë ndërsa për disa orë rresht të pandehurit qëndruan brenda sallës. Dalja e tyre nga objekti i Gjykatës së Ferizajt u bë pas orës 17:00.
Edhe kur dolën nga Gjykata nëpër vetura bashkë me hetuesit policorë, të pandehurit u dërguan nëpër qendra të paraburgimit nën përcjellje të njësive speciale për shkak të sigurisë.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjashtë të pandehurve të cilët dyshohet se organizuan vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të numrit të lartë të të pandehurve si dhe policëve që ofruan rend dhe siguri brenda gjykatores.
Për të miturin 17-vjeçar, R.B., i cili dyshohet se është dorasi, seanca për caktimin e masës së sigurisë u mbajt më 21.04.2025 për shkak se ai u dërgua në ndalim për 24 orë dhe do të procedohet si i mitur në këtë rast.
Të shtatë të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për një muaj.