Replikat mes ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të Vetëvendosjes dhe deputetes së zgjedhur të LDK-së, Hykmete Bajrami, kanë vazhduar në Facebook.
Bajrami dje në një postim shtroi pyetjen se nëse kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar do të japin dorëheqje bazuar në Ligjin për Qeverinë ku thuhet se të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre para se të certifikohet rezultati i zgjedhjeve.
Bajrami se nëse rezultatet do të certifikohen këtë të shtune kjo nënkupton se Kurti dhe ministrat e tij duhej të jepnin dorëheqje mbrëmë.
Kësaj deklarate i reagoi Haxhiu në një postim në profilin e saj ku iu drejtua Bajramit dhe tha se shpallja e rezultateve dhe certifikimi janë procese të ndara dhe të ndryshme.
“Hykmete, mos i ngatërro gjërat si zakonisht. Shpallja e rezultateve dhe certifikimi janë procese të ndara dhe të ndryshme. Nesër mund të bëhet shpallja e rezultateve, jo certifikimi”, shkroi Haxhiu.
Por, përplasja mes tyre nuk përfundoi këtu.
Ato dyja vazhduan replikat në sesionin e komenteve poshtë postimit të Haxhiut.
“Albulenë ty të marrë seriozisht veç kur të përgjigjesh në këtë video, përndryshe komentet tua pa ditë çka kam shkru, duke lexu vetëm tituj nuk i marr seriozisht”, i shkroi Bajrami, derisa i bashkëngjiti një video ku ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka, ku shpjegonte disa çështje kushtetuese.
“Hykmete N. Bajrami Pasi të kesh kërkuar falje për huqjen do të mund të përgjigjem”, ishte replika e Haxhiut.
Bajrami sërish i reagoi rreth ligjit që ka hyrë në fuqi në vitin 2022.
“Albulena Haxhiu ku ja kam huqë, kqyre Ligjin, qysh e ke shkru. Unë kam thënë nëse rezultatet certifikohen nesër duhesh me dhanë dorëheqje sonte. A e kupton fjalën ”nëse”? Me siguri jo, se kështu ja ke huqë me krejt ligjet që 4 vite”.
“Hykmete N. Bajrami natën e mirë 🙂”, shkroi më pas Haxhiu.