Saturday, November 23, 2024
HomeUncategorizedRichard Grenell: Pse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk i kanë dënuar...

Richard Grenell: Pse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk i kanë dënuar sulmet me raketa të Hamasit

Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka komentuar mosreagimin e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani për sulmet e Hamasit në drejtim të Izraelit.

Për këtë çështje ai ka reaguar me anë të një postimi në Twitter.

“Pse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk kanë dënuar sulmet me raketa të Hamasit?”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Përveç Qeverisë, as partitë politike opozitare në Kosovë nuk i kanë dënuar sulmet ajrore të Hamasit në drejtim të shtetit të Izraelit. Për këtë çështje, politika kosovare zgjodhi që heshturazi të mos e ndjek rrugën e SHBA-së.

Qeveria e Kosovës, me asnjë instancë të saj, nuk i ka dënuar sulmet e Hamasit – organizatës së shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kundrejt Izraelit.

Në këtë pikë, institucionet kosovare nuk u rreshtuan krah aleatit të tyre të madh, ShBA-së.

Ajo që reagoi dje për këto sulme ishte ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Ajo tha se qeveria duhet që të dënojë sulmet nga Hamasi dhe Hezbollahi.

Ndërsa Amerika, që e ka në listën e saj të zezë grupin ushtarak që e drejton Gazën, vazhdon të jetë në krah të Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përkrahur Izraelin, në thirrjen e parë telefonike me kryeministrin e këtij shteti Benjamin Netanyahu prej kur ka shpërthyer konflikti.

Biden ka dënuar sulmet me raketa, duke deklaruar “mbështetje të palëkundshme për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën legjitime për ta mbrojtur veten”, ka thënë Shtëpia e Bardhë më 12 maj.

Uashingtoni ka thënë se do të nisë një të dërguar të posaçëm në Lindje të Mesme, me qëllim të uljes së tensioneve në mes të Izraelit dhe palestinezëve.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po ashtu ka folur me presidentin e Autoritetetit palestinez Mahmoud Abbas, një rival i Hamasit në Bregun e pushtuar Perëndimor.

“Pritjet e mia dhe shpresa janë që kjo do të mbyllet herët a vonë, mirëpo Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten”, ka thënë Biden pasi ka folur me Netanyahun.

Mbi 100 njerëz janë vrarë në Gaza dhe shtatë të tjerë në Izrael që nga fillimi i luftimeve të hënën. Ministria e Shëndetësisë e Palestinës të enjten njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në 119, përfshirë 27 fëmijë e 11 gra. Deri të enjten janë regjistruar edhe 580 të lënduar.

Në anën tjetër, në Izrael deri më tani janë regjistruar shtatë viktima: gjashtë të vrarë nga sulmet me raketa dhe një ushtar i vrarë nga një raketë anti-tank, që e goditi veturën me të cilën po udhëtonte.

Në një deklaratë të publikuar të premten në mëngjes, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se operacioni i ushtrisë izraelite kundër militantëve palestinezë në Gaza do të vazhdojë aq sa të jetë e nevojshme dhe se Hamasi do të paguajë një çmim të lartë për sulmet me raketa.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments