Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka dalë në mbrojtje kandidatit për deputet Hysen Çekaj, i cili doli i dyti pas tij në votat me postë.
Pas numërimit të 100% të votave të ardhura me postë, Çekaj mori 12000 vota, ndërsa Abdxhiku ka 17258.
Kryetari i LDK-së tha se ka “mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata, sepse merr vota, merreni me mend, nga vet mërgata”.
“Nga vendi ku ka kaluar gjithë jetën e tij – me barrën e babës hero mbi supe – dhe me ëndrrën e madhe se një ditë do të kthehet në vendlindje në shërbim! Në moçalin e madh të pështymave e të konspiracioneve të liga, të partisë që në ambasada mbush thasë me vota, e në Kosovë nxit veç helm e vrer, Hysen Sali Çekaj qëndron fort dhe duron me dinjitet gjithë këtë sulm të egër – ende pa nisur mirë karrierën e tij politike”.
Abdixhiku tha se e sulmojnë sepse duan “ta dekurajojnë, njollosin e zhvlerësojnë. Sepse janë me mllef, me shumë mllef, që ai së bashku me ne, theu një mit që s’mendohej se do të thyhej ndonjëherë!”.
“Si një njeri i urtë, si një djalë i jashtëzakonshëm, ai ka më së paku nevojë për mbrojtje. Tani me barrën e re të përfaqësimit, ka veç një mision. Të shenjtin para vetes. Që popullizmin rrënues, atë që po na mban peng në urrejtje, ta çrrënjosë me ka krejt, e herën tjetër të dyfishojë këtë mbështetje. Kokën lart Hysen! Ky mision është fisnik për të gjithë ne. Shihe me çfarë duhet ballafaquar këndej! E juve mërgatë, sërish, për të satën herë, edhe një herë, ju faleminderit”, ka shkruar Abdixhiku.