Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit, është raportuar për një incident brenda hapësirave të klinikave, shkruan Insajderi.
Sipas një deklarate nga institucioni, menjëherë pas marrjes së informacionit, janë ndërmarrë masat emergjente dhe është njoftuar Policia e Kosovës për të trajtuar situatën.
“Pas masave të ndërmarra, rasti është izoluar dhe nuk paraqet rrezik”, thuhet në komunikatën e QKUK-së.
Muhamet Reqani, komandant i batalionit të zjarrfikësve, ka konfirmuar për Insajderi se i dyshuari ka kërcënuar se do të hidhej nga kati i 6-të i Klinikës Interne.
Reqani shtoi se operacioni i tyre ka rezultuar i suksesshëm dhe dy të personat janë marrë nga policia.
“Sot, në orën 7:40, na kanë njoftuar për një rast, ku një person ka tentuar të hidhet prej Klinikës së Interneve, kati i 6. Na ka njoftuar policia dhe jemi nisur për asistencë. I kemi ofruar kapacitetet tona, ndihmuam për hapjen e dritareve me ato shkallët e zjarrfikësve, e hapëm derën në anën tjetër, dhe pjesa tjetër ka qenë punë e policisë. Dy persona janë marrë nga policia”,
Burri ka qenë ai i cili ka kërcënuar se do të hidhej, dhe ka mbajtur gruan si peng”, shtoi ai.
Për rastin Insajderi ka kërkuar informacion edhe nga Policia e Kosovës, por të njëjtit deri tani nuk janë përgjigjur.