Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur afatin e tij për të ardhmen e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
“Sa më përket mua, nëse të gjithë pengjet nuk kthehen deri të shtunën në orën 12 – mendoj se është një kohë e përshtatshme – do të thosha, anulojeni dhe gjithçka është e pavlefshme, lëreni ferrin të shpërthejë,” tha ai nga Zyra Ovale.
Nuk është e qartë nëse Trump nënkuptonte mesditën apo mesnatën e së shtunës.
Gjithashtu, nuk dihet se për cilën zonë kohore po fliste.
Trump shtoi se ai pret që të gjithë pengjet të lirohen, “jo me pikatore dhe copa-copa”.
I pyetur nga BBC nëse ai e kishte fjalën për një hakmarrje të Izraelit kundër Hamasit kur tha “ferri do të shpërthejë”, Trump u përgjigj: “Do ta zbuloni, dhe ata do ta zbulojnë gjithashtu. Hamasi do ta zbulojë çfarë dua të them.”
Ndërsa i pyetur gjithashtu nëse SHBA do të përfshihej, Trump tha: “Do të shohim çfarë do të ndodhë.”
Ai tha se ky ishte “thjesht afati im” dhe se ende nuk ia kishte përmendur kryeministrit izraelit.
Ndërkohë, mbreti i Jordanisë, Abdullah II, ka mbërritur në Uashington, DC dhe është planifikuar të takohet me Trump në Shtëpinë e Bardhë të martën.