Fushatës zgjedhore në Kosovë po i vjen fundi. Partitë politike për rreth një muaj shpalosën para qytetarëve planprogramet qeverisëse, e kjo fushatë u karakterizua me një garë për të mbushur sallat e sheshet.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht më 11 janar, ndërsa sot dhe nesër partitë politike pritet të mbajnë tubimet e tyre përmbyllëse
Lidhja Demokratike e Kosovës, fushatën do ta përmbyllë nesër, me një tubim në kryeqytet, në sheshin “Skënderbeu”, në ora 18:00.
Fushatën nesër do ta përmbyllë edhe Partia Demokratike e Kosovës. PDK do të mbajë tubim në sheshin “Zahir Pajaziti”, në ora 16:00.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur se ku do ta mbajë tubimin përmbyllës.
Koalicioni për Familjen tubimin përmbyllës do ta mbajë sot në Klan Arena, në Prishtinë, ora 19:00.
Fushata zgjedhore e këtij viti u karakterizua me gjuhë të ashpër, ndërsa Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar mijëra euro gjoba për partitë politike. Partia në pushtet aktualisht ka numrin më të madh të gjobave nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.
Me gjithë përdorimin e gjuhës së ashpër nga partitë politike gjatë tubimeve elektorale, nuk është shënuar ndonjë incident.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë. Prej tyre, 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote kanë rreth dy milionë votues, prej të cilëve rreth 105 mijë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.