Komuna e Prishtinës ka evidentuar plot 61 shtëpi në kryeqytet, 11 mure dhe një lokal, të cilat përbejnë rrezik për jetën e qytetarëve.
Por, pavarësisht kësaj, nga komuna kanë deklaruar se nuk mund t’i rrënojnë ato pa lejen e pronarëve.
Kjo çështje u ngrit në opinionin publik pas ngjarjes tragjike në Jabllanicë të Gjakovës, ku tre fëmijë vdiqën tragjikisht si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër në këtë fshat.
Objekti i rrënuar, që u bë vend i kësaj tragjedie, ishte i braktisur që pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999.
Duke qenë në pronësi private, komuna nuk ka pasur kompetenca të ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me objektin.
Prokuroria e Shtetit ka deklaruar se në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.