Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë njëherit kandidatja për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas sulmit direkt në pavarësinë e Komisionit të Pavarur për Media nga pushteti.
Lushaku-Sadriu ka thënë ngjarjet e djeshme në KPM, tregojnë që pushteti dëshiron t’i hesht të gjithë dhe t’i kapë institucionet e pavarura.
“Liri. Pavarësi. Demokraci. Sot, nesër dhe çdo ditë. Ngjarjet e djeshme në Komisionin e Pavarur të Mediave qartazi tregojnë se si interesi i pushtetit është të heshtin të gjithë. Që dështimet e tyre në arsim, shëndetësi dhe ekonomi të mos përmenden nga askush. Ne gjithmonë e kemi pasur të qartë synimet e tyre që të kapen e të heshtën institucionet. Por ky vend as nuk e toleron, as nuk e lejon diktaturën.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Më tej, ajo ka thënë se këto veprime e çojnë Kosovën drejt autokracisë.
“Shkelja flagrante e procedurave ligjore është një sulm i drejtpërdrejtë politik që e shtyn Kosovën drejt autokracisë. Këto veprime krijojnë një precedent të rrezikshëm për lirinë e mediave në vend—dhe kjo duhet të marrë fund më 9 shkurt.” – ka thënë ajo.
Ajo ka bërë thirrje që kjo qasje të ndalet më 9 shkurt.
“Asnjëherë në historinë e re të Kosovës s’ka qene më e qartë për kë të votohet. Ju ftoj të gjithëve që të ruajmë e forcojmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. T’i dërgojmë mesazh atyre që synojnë diktaturë dhe izolim.” – përfundon shkrimi i saj.