104,924 është numri i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës. Gjermania dhe Zvicra ka numrin më të madh të tyre ndërsa regjistrimet kanë ardhur edhe nga shtete tjera.
“Dy shtetet me numrin më të madh të të regjistruarve janë Gjermania me 44,774 dhe Zvicra me 27,248 votues të regjistruar. Pas tyre vijnë shtetet tjera, si: Franca (4,629), Suedia (3,958), Austria (3,932), Italia (3,810), ShBA (2,509), Belgjika (2,392), Mbretëria e Bashkuar (2,236) dhe Finlanda (1,806)”, ka deklaruar për IndeksOnline, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Periudha e regjistrimit ishte 120 ditë, nga 29 gusht deri 26 dhjetor 2024
Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës është 104,924, prej të cilëve 20,399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndërkaq 17,104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 67,421 për të dërguar pakon me fletëvotim në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme u ka dhënë tri mundësi shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për të përzgjedhur për votim nga jashtë Kosovës. Pra, në momentin e regjistrimit për votim në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votuesit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.