Xhevdet Tahiri, udhëheqës i pozitave të larta në Minierën e Trepçës dhe i angazhuar në këtë ndërmarrje për 20 vite, u largua nga puna prej Komisionit Disiplinor i kësaj miniere nën pretendimin për keqpërdorim të detyrës dhe punësimi të një anëtari të familjes. Tahiri në një reagim të tij ka thënë se ky veprim i Komisionti Disiplinor erdhi si pasojë e denoncimeve të tij për keqpërdorime milionëshe nga Udhëheqësi i Njësisë së Stan Tërgut. Për këtë, fajëson edhe Qeverinë që mbylli sytë.
Tahiri me anë të një reagimi në ‘Facebook’ ka thënë se vendimi ndaj tij prej komisionit disiplinor erdhi duke iu referuar një rregullore të vitit 2011, sipas të cilit është jo-valide.
“Komisioni Disiplinor mori Vendim autoritar dhe të kundërligjshëm pa asnjë vendim të formës së prerë nga organet kompetente ligjore që ta ndërprejnë kontratën time të punës, kësisoj të njëjtit kundërligjshëm konstatojnë jashtë juridiksionit të tyre dyshimet për “shkelje” të Rregullores së brendshme për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A. të vitit 2011 e cila rregullore është jo valide”, tha ndër të tjera ai.
“Për çdo parregullsi që mendoj se ka ndodhur dhe po ndodhë në ndërmarrjen Trepça unë gjithmonë kam ngritur zërin kritik, dyshohet për keqpërdorime milionëshe nga Udhëheqësi i Njësisë së Stan Tërgut, ku çdoherë përmes e-mailit kam informuar Kryeshefin Ekzekutiv, Bordin Mbikëqyrës të Trepça Sh.A., Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë e Kosovës, por fatkeqësisht këto struktura të larta të gjitha po heshtin, dhe në shenjë hakmarrje me datë 14.01.2025 marrin vendim për largimin tim nga puna”, vijoi Tahiri.
Reagimi i plotë i tij:
Pas interesimit të madh të familjarëve, shoqërisë, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të mi në lidhje me lakimin e emrit tim në mediat e shkruara vendosa të bëjë këtë reagim për të sqaruar situatën dhe për të ndarë qëndrimin tim mbi këtë çështje.
Unë Xhevdet Tahiri inxhinier i diplomuar i xehetarisë jam punësuar në Ndërmarrjen Trepça në Janar të vitit 2005.
Me përkushtimin e pa rezervë dhe angazhimin e madh në punë kam arritur të udhëheqë pozitat më të larta udhëheqëse të natyrës teknike dhe menaxheriale në ndërmarrjen Trepça, në të cilat punë dhe përgjegjësi kam treguar pastërtinë dhe profesionalizmin e pa shembullt.
Jam hartues i projektit “ Hidrombushja në minierën e Stan Tërgut,” , “ Projektimi i spiraleve”, dhe “Mineralet Druze”, hartues i projekteve investive në ndërmarrjen Trepça si dhe projektues i qindra projekteve të thjeshtëzuara/kategorizuara në minierën e Stan Tërgut.
Ndërsa sot pas 20 vitesh sakrificë dhe kontribut të pa ndashëm me datë 14.01.2025 Komisioni Disiplinor i Trepça Sh.A. , i cili po merr vendime autoritare duke përdorur si pretekst se vendimet po vijnë nga Ministria e Ekonomisë dhe nga Qeveria, pra po thonë që të gjitha vendimet po vijnë nga lart e ne si komision vetëm po i zbatojmë. Komisioni Disiplinor mori Vendim autoritar dhe të kundërligjshëm pa asnjë vendim të formës së prerë nga organet kompetente ligjore që ta ndërprejnë kontratën time të punës, kësisoj të njëjtit kundërligjshëm konstatojnë jashtë juridiksionit të tyre dyshimet për “shkelje” të Rregullores së brendshme për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A. të vitit 2011 e cila rregullore është jo valide.
Për çdo parregullsi që mendoj se ka ndodhur dhe po ndodhë në ndërmarrjen Trepça unë gjithmonë kam ngritur zërin kritik, dyshohet për keqpërdorime milionëshe nga Udhëheqësi i Njësisë së Stan Tërgut, ku çdoherë përmes e-mailit kam informuar Kryeshefin Ekzekutiv, Bordin Mbikëqyrës të Trepça Sh.A., Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë e Kosovës, por fatkeqësisht këto struktura të larta të gjitha po heshtin, dhe në shenjë hakmarrje me datë 14.01.2025 marrin vendim për largimin tim nga puna.
Sipas këtij mosreagimi duket se krimi shumëdimensional duhet të fshehet dhe të vazhdoj kurse e vërteta duhet të ndëshkohet.
E sot në këto rrethana ku mashtrimi, gënjeshtra dhe manipulimi janë bërë normë unë prap e them të vërtetën!
Shihemi në Organet Kompetente të Drejtësisë! /Insajderi.org/