Wednesday, January 15, 2025
HomeLajmeKosovaPolici dyshohet se tentoi ta sulmojë palën duke e intervistuar për një...

Polici dyshohet se tentoi ta sulmojë palën duke e intervistuar për një aksident në Gjilan

Një denoncim për një zyrtar policor të Njësisë së Trafikut në Gjilan ka ardhur në adresë të KALLXO.com ditë më parë.

Keqtrajtim dhe abuzim me detyrën zyrtare pretendohet se është kryer nga polici, emrin e të cilit nuk e ka dhënë Policia e Gjilanit.

KALLXO.com ka pranuar një video-incizim në të cilin shihet një zyrtar policor deri sa në një moment pretendohet se iu afrua për ta sulmuar një palë që ishte duke e intervistuar.

E pas këtij veprimi, njëri nga palët i drejtohet policit me fjalët: “Mos e sulmo! Ngadal!”.

Deri sa pala ishte duke dhënë intervistën për një aksident që ka ndodhur vite më parë, pala dëgjohet deri sa i thotë zyrtarit policor: “Jo, jo, shkruaje. Në trakën time. Jo, jo, shkruaje se unë po e them atë, shkruaje që ma ka pre rrugën”.

E polici tutje nis veprimet e tij e që në bazë të bisedës që dëgjohet kishte pretenduar se i ishte afruar palës së përfshirë në aksident për ta sulmuar.

“Hej… (i afrohet ta prekë fizikisht) ti s’mundesh me mua me u sillë, e kështu se ti nuk mundesh me m’fy mua, a je t’u më kuptu. Ti duhesh veç me m’tregu, çka duash thuaj ti, çka duash thuaj ti edhe nanën do me ja sha ti atij…”- dëgjohet duke thënë polici, të cilit i vërehen edhe veprimet gjatë videos që ka siguruar KALLXO.com.

Polici tutje dëgjohet deri sa i thotë palës së ai mund të deklarojë çdo gjë për rastin.

“Edhe nanën nëse don me ia sha ti atij unë e shkruaj këtu, a je t’u kuptu? A je t’u kuptu, hiç s’e ke problem, ti veç po të kallxoj, mua nuk mundesh me m’thanë: iv, iv, me mua s’mundesh kështu, përndryshe çka të duash me thanë ti unë kam me shkru këtu, çka të duash thuaj ti, çka të duash thuaj ti”- vazhdon të shprehet polici sipas asaj që dëgjohet në video-incizim.

Në një moment, pala që ishte duke u intervistuar nga polici i kërkon përgjigje se pse nuk po shkruan atë çfarë pala po dëshmon.

Ilir Rashiti, avokat në Gjilan, po mbyllte një rast të cilin e kishte me një palë për një aksident trafiku në qendër të qytetit. Derisa po shikonte dosjen ai vërejti edhe një video-incizim që daton vite më parë e në të cilin shihet një zyrtar policor i Trafikut derisa tregon një sjellje , sipas tij, joprofesionale ndaj palës e cila ishte përfshirë në aksident.

“Në rastin konkret është lajmëruar një familje, vajza e tyre, pra personat në fjalë kanë qenë mysafirë në Gjilan, kanë parashtruar te unë një kërkesë për me trajtu një rast të një aksidenti ku aty ka pasur vetëm aksident trafiku e më pas rezulton se ka dalë Policia me kërkesë të palëve me trajtu rastin. Nuk ka pasur diçka tjetër në lidhje me incidentin dhe si zakonisht palët janë udhëzu me dhënë deklaratë në stacionin policor, ku sipas deklaratës së palës, edhe në vendin e ngjarjes ka pasur sjellje jo të mira në raport me zyrtarin policor që shihet në video të cilën e kemi”- thotë avokati Rashiti.

Ai shton se zyrtari policor ishte i njëjti që kishte dalë edhe pas thirrjes për të regjistruar aksidentin që kishte ndodhur në Gjilan.

“I ka udhëzuar palët që me i largu veturat, madje për detaje nuk ka leju me u bë matja apo video-incizimi i vendit të ngjarjes e ku aty ka hasur në rezistencë edhe të palës. Krejt incizimet janë prej palës. I njëjti person që lehtë identifikohet edhe nga pala e dëmtuar i ka udhëzuar me shku në stacion policor ku ka nisur pastaj edhe pala me u keqtrajtu”- shton avokati Rashiti.

Rashiti përshkruan edhe video-incizimin që gjeti në dosjen e provave derisa po mbyllte dhe po arkivonte lëndën e aksidentit që pati klienti i tij.

“Aty shihet që përveç toneve të larta, orientimi i deklaratës që shihet qartë që ai thotë se ‘unë shkruaj çka të dua’ deri te sjellja e tij edhe fizike, ku shihet qartë në video-incizim se oficeri i Policisë një femre 18-vjeçare i matet me dorë me goditë. Edhe gjuha e tij ndoshta edhe vulgare kjo mendoj që është e patolerueshme”- shton tutje avokati.

Denoncimin për zyrtarin policor avokati thotë se e bëri për qëllim të vetëdijesimit dhe se i njëjti polic duhet të marrë një vendim për abuzim me ligjin.

KALLXO.com më 23.12.2024 i ka dërguar Drejtorisë Rajonale në Gjilan pyetje bashkë me videon e bashkëngjitur për sqarime rreth sjelljes së zyrtarit policor.

Më 13.01.2025, Policia në Gjilan i ka kthyer përgjigje KALLXO.com duke konfirmuar se rasti tashmë është duke u trajtuar dhe polici është identifikuar.

“Video-incizimi nuk është përcjellë për trajtim tek ne deri më tani. Pas pranimit të kësaj video, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka filluar trajtimin sipas procedurave të parapara në këto raste ndaj zyrtarëve policorë” – thuhet në përgjigjen për KALLXO.com të Drejtorisë Rajonale të Gjilanit të Policisë së Kosovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments