Dhjetëra persona me varësi nga droga në Kosovë. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Raste të shumta janë zbuluar kohëve të fundit edhe në Burgjet e Kosovës.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës gjatë dhënë periudhës 2021 deri më tani janë parandaluar rreth 500 raste të hyrjes së substancave narkotike nga jashtë.
Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, në një prononcim dhënë për portalin rtv21.tv ka thënë se kontrolli i vizitorëve që dëshirojnë të vizitojnë, gardianët gjatë hyrjes i kontrollojnë ata në sallën e vizitave me një bastisje të detajuar.
Ai gjithashtu përmend edhe bashkëpunimin e rregullt të SHKK me Policinë e Kosovës.
“Stafi në Qendrën Korrektuese të Dubravës kryen bastisje çdo ditë në mënyrë rutinore në çdo vend punim. Po ashtu, vizitorët që vijnë për të vizituar të burgosurit i nënshtrohen procedurave të bastisjes në portën zero dhe gjatë hyrjes në sallën e vizitave, ku u bëhet një bastisje e detajuar. Duke ju referuar rasteve ne fjale, ju njoftojmë se SHKK ka bashkëpunim të shkëlqyer me Policinë e Kosovës dhe te gjitha këto raste lajmërohen në Polici”, ka thënë Gashi.
SHKK e pyetur për vendet më të çuditshme se ku gjendet droga tek të burgosurit, bën të ditur se zakonisht droga gjendet në pastë dhëmbësh dhe në rroba të sjella nga familjarët.
“Vendet më të çuditshme ku janë gjetur lëndët narkotike përfshijnë: pjesë të brendshme të trupit, pastë dhëmbësh, të brendshme, kabllo të DVD-së, resho elektrike, televizorë, rroba të sjella nga familjarët, zona sterile përmes gjuajtjes nga jashtë dhe ndonjëherë në banjat e përbashkëta”, tregon Gashi nga SHKK për portalin rtv21.tv.
Sa ka kontroll të burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës?
“Në lidhje me masat e shtuara për luftimin dhe parandalimin e kontrabandës, fillimisht Drejtoria Qendrore ka përpiluar një plan operativ, përmes të cilit ka nisur zbatimi strikt bazuar në analizat e dala nga menaxhmenti i institucionit. Ky plan përqendrohet në bastisje të rregullta dhe të qëllimshme, si dhe në intensifikimin e tyre në secilin pavijon. Gjithashtu, përfshihen bastisje individuale për çdo të burgosur gjatë hyrje-daljeve nga paviani dhe në hapësira të tjera. Po ashtu, përforcohet angazhimi i njësitit K9, bashkëpunimi dhe koordinimi me NJIK dhe organet e tjera relevante të sigurisë dhe ndjekjes penale, funksionalizimi i qindra kamerave shtesë për mbikëqyrjen e çdo lëvizjeje, ngritja e vigjilencës në secilën kullë vrojtuese aktive, rotacioni i stafit dhe i vend punimeve me ndjeshmëri në kuptim proaktiv, etj”, tha Gashi.
Nga SHKK tregohen statistikat e rasteve me gjetje të substancave narkotike në Qendrën Korrektuese të Dubravës ndër vite dhe tani.
“Deri më tani, në Qendrën Korrektuese të Dubravës evidentohen 47 raste të gjetjes dhe parandalimit të kontrabandës, nga të cilat pjesa dërrmuese janë raste parandaluese, kryesisht të substancave të dyshuara si narkotikë. Po ashtu, ju njoftojmë së në të gjitha institucionet korrektuese nga viti 2018 deri ne vitin 2020 janë parandaluar 84 raste, ndërsa nga viti 2021 deri më tani janë parandaluar rreth 500 raste”, bën të ditur Gashi.
Njohësi i sigurisë Arben Dashevci për portalin rtv21.tv në lidhje me këtë çështje, ka thënë se duhet të ketë masa më të ashpra për parandalimin e futjes së drogave në Shërbimet Korrektuese të Republikës së Kosovës.
“Në Republikën e Kosovës ballafaqimi me këtë dukuri të shëmtuar dhe të dëmshme është sfidë që luftohet në vazhdimësi nga organet përgjegjëse, ështê shqetësuese sepse numri i përdoruesve është në rritje të vazhdueshme dhe problemet po i shohim në çdo cep të Kosovës, sepse në shumicën e rasteve vinë nga përdoruesit e substancave narkotike”, tha Dashevci.
Hyrja e lirshme e drogës në Dubravë, sipas njohësit të sigurisë është e papranueshme.
“Jemi dëshmitarë të asaj që dëgjojmë se edhe në institucionet korrektuese sikurse shembulli në Dubravë, ka shumë raste kur drogat herë pas herë hynë në forma të ndryshme dhe kjo është e papranueshme”, tha Dashevci për portalin rtv21.tv
Ndërkohë sa i përket hyrjes së drogës në Qendra Korrektuese të Republikës së Kosovës, njohësi i sigurisë e mohon prurjen e drogës nga vizitorët që vizitojnë të burgosurit.
“Sipas mendimit tim nevojiten masa më të ashpra preventive me qëllim të vetëm parandalimi, sepse drogat vinë nga ata që vizitojnë të burgosurit pra nga familjarët, shokët etj. Droga kalon në kontrolle, këtu mendoj unë ka lëshime ku korrupsioni po luan rolin kyç”, ka thënë ai.
Çfarë hapash duhet të ndërmarrin institucionet kompetente për parandalimin e kësaj dukurie?
“-Të ashpërsohen kontrollet në hyrje, dhe për çdo vizitorë.
-Pajisjet e fundit teknologjike të vendosen në vende gjegjëse aty ku dyshohet se ka lëshime.
-Trajnimi në vazhdimësi e stafit dhe përzgjedhja e më të mirëve nga gardianët, pra me integritet dhe etikë të lartë.
-Luftimi i korrupsionit brenda institucionit.
Njësitet e vëzhgimit, inteligjenca në kuadër të institucionit duhet të jetë më pro aktive për vëzhgimin, identifikimin dhe zbulimin e stafit që bashkëpunojnë me ata që nuk duhet, gjithmonë preventivë me qëllim parandalimin e kësaj dukurie që po e përsëris është shqetësuese si për institucionin që e përmendët por edhe në vende tjera, shkolla, lokale, rrugë, institucionet korrektuese etj”, apelon Dashevci.
Psikologia, Dafina Prokshi ka thënë se në çdo përshkrim neurologjik në Kosovë është i gjetur përshkrimi i terapisë psikotike.
“Përgjatë trajtimit psikoterapeutikë çdo herë e më shumë për çrregullime të ndryshme për të rritur apo për fëmijë, pothuajse në çdo të dytin përshkrim neurologjik tek ne gjen të përshkruar terapi psikotike, mendoj që kjo është shumë e shprehur në vendet ballkanike dhe mendoj se arsyeja është nga mos marrja e informacioneve të reja, me terapitë e reja, me njohuritë dhe rezultatet e studimeve të reja që dalin çdo ditë e më shumë”, tha Prokshi.
Kujtojmë se të martën e kësaj jave është parandaluar futja e kontrabandës së drogës në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas njoftimit të SHKK, thuhet se në bazë të burimeve të besueshme, është pranuar informacion se në pjesën veriore jashtë perimetrit të murit do të tentohej të hidhej një pako me materiale të paligjshme me 170 gramë.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, është organizuar një plan për kontrolle dhe bastisje, i cili ka rezultuar me gjetjen e një pakete të mbështjellë në qese najloni. Pas hapjes së saj, është konstatuar se paketa përmbante lëndë të dyshuar narkotike dhe katër palë kufje. Pesha e përgjithshme e materialeve, së bashku me mbështjellësin, u mat në 170 gramë”, thuhet në njoftim.