Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaCountryman: Kosova e Serbia s’kanë vullnet të ecin para në dialog

Countryman: Kosova e Serbia s’kanë vullnet të ecin para në dialog

Zëvendësndihmëssekretari amerikan në kohën kur ka filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë 13 vjet më parë, Thomas Countryman, nuk sheh përmbyllje të shpejtë të bisedimeve mes dy shteteve. Sipas tij, qeveritë e të dyja vendeve më të shqetësuara janë për çështje të tjera të brendshme sesa për ecjen para në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian

Për mungesë progresi në dialogun e Kosovës dhe Serbisë i ka bërë njësoj fajtore të dyja shtetet ish-zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman.

Countryman, që më 2011, kur ka nisur dialogu si zëvendësndihmëssekretar, ka pasur në përgjegjësi çështjen e Ballkanit, ka thënë të mërkurën se që të dyja shteteve u mungon vullneti për të ecur përpara.

“Besoj fuqishëm që Beogradi dhe Prishtina kanë marrë shprehi që të fajësojnë Brukselin dhe nganjëherë edhe Uashingtonin për paaftësinë për të ecur përpara. Këndvështrimi im është që ne kemi dy qeveri që janë më shumë të shqetësuara me mbajtjen e shumicës së tyre, sesa të bëjnë progres, qoftë në dialog ose drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Countryman, në Konferencën për Siguri që është mbajtur në Beograd.

Ai nuk beson se çështja mes Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet së shpejti.

“Sigurisht që është koha të përmbyllet dialogu. Ajo kohë ishte 5 vjet më parë. Nuk shoh se do të përfundojë shpejt dhe mendoj që as Qeveria e Serbisë e as e Kosovës nuk duhet të shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë në duart e administratës së re amerikane”, ka theksuar Countryman.

Ai ka thënë se në këtë drejtim në punë atyre nuk u hyn as ndryshimi i administratës në SHBA e as udhëheqësit e rinj në bllokun evropian.

“Është bërë pak progres, por ka munguar vullneti i duhur nga të dyja palët në implementimin e marrëveshjeve të arritura. Nuk shoh që zgjedhjet në BE e ndryshojnë këtë. Është e nevojshme që BE-ja të bëhet më e unifikuar në këtë çështje dhe kjo përfshin atë që të marrë pozicion më përgjegjës për ato shtete anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme. Por nuk mendoj që zgjedhjet në BE ndryshojnë dinamikën brenda Kosovës dhe brenda Serbisë”, ka theksuar ai.

Countryman, që aktualisht është kryetar i Bordit të Shoqatës së Kontrollit të Armëve në SHBA, thekson se në rajon ekziston gjithmonë rreziku i dhunës, por  konsideron se kërcënimi i përdorimit të dhunës si mjet është i papranueshëm.

Countryman ishte pjesëmarrës në Konferencën për Siguri që është mbajtur në Beograd. Ai ishte në mesin e panelistëve në diskutimin në lidhje me ndikimin e zgjedhjeve në SHBA e në BE.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments