Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu i ka reaguar ashpër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pasi ky i fundit e vizitoi dje Kombëtaren e Kosovës.
Kreu i Qeverisë kosovare i duartrokiti lojtarët për vendimin e marrë që të tërhiqen nga loja me Rumaninë pas fyerjeve raciste që i përjetuan në “National Arena”, ndërsa iu ofroi mbështetje të shtetit për rastin e ndodhur në Bukuresht, shkruan “Gazeta Express”.
E pas disa orësh Kurtit i reagoi kryeministri i Rumanisë, i cili kërkoi që politika të mos përzihet në sport.
“Është totalisht e papranueshme ajo që po bën kryeministri i Kosovës, i cili përzien politikën me sportin dhe pretendon, pas gjestit të kombëtares së tij të futbollit për të braktisur ndeshjen kundër Rumanisë, se do të bëjë presion politiko-diplomatik për të na dënuar!”.
“Zotëria përpiqet kot ta kthejë fajtorin në viktimë dhe kërkon të bëjë presion politik në familjen evropiane të futbollit, duke shpresuar në një vendim iluzionar!”
“I them drejtpërsëdrejti dhe qartë se sado që të mundohet nuk e ndryshon dot realitetin dhe se gjithsesi po shkon në rrugën e gabuar sepse politika nuk ka punë në sport!”
“Sa për atë që ndodhi mbrëmjen e së premtes, ka vetëm një të vërtetë: fajtorët janë të qartë dhe ata nuk janë lojtarët rumunë e as publiku”.
“Nuk e kam problem ta pranoj që lojtarët e Kosovës luajtën më mirë, por kjo nuk i shfajëson nga gjesti në fund të ndeshjes, për të cilin duhet të bartin pasojat! Dhe jam i sigurt se pikërisht kështu do të ndodhë!.