Është ora 6:00 e mëngjesit. Temperatura është pak mbi zero gradë celsius. Nëpër mjegull duken rreth 15 persona – shtetas rusë nga Kaukazi i Veriut – mes të cilëve ka edhe fëmijë e të moshuar. Vend i tubimit të tyre është një kafene në Gradishkë, pranë pikës kufitare nga Bosnjë e Hercegovina në Kroaci, që i bie veriu i largët i Bosnjë e Hercegovinës. Ata presin për një kohë të shkurtër dhe më pas përqafohen. Njëri prej të rinjve çeçenë niset drejt Kroacisë, për të kaluar në Bashkimin Evropian.
Të tjerët e shikojnë me shpresën se do të lejohet të kalojë. Por, ai kthehet dhe grupi pret që dikush tjetër të provojë sërish. Njëri thotë se ka ikur nga Rusia, për shkak të mobilizimit të detyruar ushtarak për luftën në Ukrainë. Të tjerë kanë ikur nga persekutimi politik, për arsye fetare apo shëndetësore. Disa edhe për të ndihmuar familjen.
Në mesin e qytetarëve rusë që ekipi i REL-it i takoi pranë pikës kufitare në Gradishkë, më së shumti ka çeçenë.Ata thonë se mblidhen aty çdo mëngjes, në përpjekje për të kaluar kufirin midis Bosnjës dhe Kroacisë dhe për të kaluar azil në ndonjërin nga vendet e BE-së.
Magomed ishte i vetmi çeçen që pranoi të fliste me gazetarët e REL-it.Ai këmbëngul që të mos fotografohet askush, e nëse po, të turbullohen fytyrat e personazheve, nga frika e hakmarrjes ndaj tyre dhe familjeve të tyre në Rusi.Thotë se në grupin e tij, rreth 80 për qind janë çeçenë, por se ata vijnë edhe nga republika të tjera ruse, si Ingushetia dhe Karaçajevo-Çerkesia, ndërsa disa janë edhe nga Tatarstani. Sipas llogaritjeve të tij, rreth 170 njerëz nga Kaukazi i Veriut presin ta kalojnë kufirin në veriperëndim të Bosnjës.
Ikim nga “persekutimi i autoriteteve”
Magomed thotë se të gjithë ikin nga “persekutimi i autoriteteve”, kryesisht për arsye politike dhe fetare, ose nga mobilizimi për shkak të luftës në Ukrainë.“Aktualisht, po bëhet mobilizim, mobilizim i detyruar. Thjesht, njerëzit blihen – deshe ti a po nuk deshe. I blejnë njerëzit dhe i dërgojnë me forcë”, thotë ai.Për të riun çeçen që u përpoq ta kalonte kufirin atë mëngjes, por pa sukses, Magomed thotë se ishte në burg në Çeçeni, ku u mbijetoi rrahjeve dhe llojeve të tjera të abuzimit, për shkak të pikëpamjeve të tij politike.Ai qëndroi pranë Magomedit ndërsa ai fliste për të, por vetë nuk donte të fliste, përveçse tundte kokën në shenjë miratimi.
Magomed thotë se të gjithë në Gradishkë kanë frikë nga paditë e mundshme kundër tyre në Rusi. Sipas tij, refugjatët nga Kaukazi i Veriut “jetojnë kudo me frikë”.Shton se Rusia është duke i ndalur të gjitha proceset për marrjen e vizave, ndaj njerëzit përpiqen të arrijnë në BE përmes Bosnje e Hercegovinës, e cila ka ende në fuqi regjimin pa viza me Rusinë.Nga të grumbulluarit aty, thotë se disa kanë punë, por shumica jo.
“Edhe nëse keni punë, paga për mundin që bëhet, është minimale. Shumica e njerëzve nuk shkojnë, për shkak të pagës”, thotë Magomed.Ai tregon se edhe shëndetësia është në gjendje të keqe dhe drejton gishtin kah një i ri që ishte në karrocë, për shkak të, siç thotë, gabimit të mjekëve.I riu në karrocë nuk pranoi të fliste. Magomed thotë se të gjithë ata që janë atje, po përcjellin rastin e Selima Khadisovës, një grua çeçene, e cila është në paraburgim në qytetin e Tuzllës në Bosnje, duke pritur vendimin e autoriteteve për ta ekstraduar në Rusi ose për t’i dhënë azil.Khadisova u arrestua në bazë të një urdhërarrestimi të INTERPOL-it, pasi ajo dhe tre fëmijët e saj fluturuan me avion nga Turqia në Sarajevë, në fund të shtatorit.Rusia e akuzon atë për terrorizëm.Ajo i mohon akuzat dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, e ndarë nga fëmijët e saj.