Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, identifikoi kushte të vështira, si mungesën e pajisjeve dhe probleme me meritokracinë, si arsye për braktisjen e FSK-së.
Elezi paralajmëroi se kostot e trajnimit për çdo ushtar janë mbi 75 mijë euro, duke e bërë këtë largim një humbje të madhe për Kosovën.
“Në fakt në katër vitet e fundit, largimi i pjestarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga FSK është njëri ndër problemet më të rëndësishme sa i përket çështjes së sigurisë. E them çështjes së sigurisë sepse pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë anëtarët kryesore të organizimit të sigurisë së Republikës së Kosovës e sidomos organizimit ushtarak. Marrë në konsideratë faktin që këto largime janë tejet serioze dhe kemi konkurse të vazhdueshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës për plotësimin e boshllëqeve që lënë pjestarët e saj atëherë mund të themi se jemi vërtet të shqetësuar për braktisjen dhe arsyet e braktisjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Elezi.
“Ka disa arsye që po largohen nga FSK-ja, njërsa ndër arsyet kryesore janë kushtet me të cilat ballafaqohen pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Keni parë që ka probleme duke filluar nga pajisjet bazë të pjestarit të FSK-së siç janë çështjet e uniformës, veshmbathjet, trajnimet, armatimet. Meritokracia është një problem shumë serioz, ju e keni parë që shumë pjestarë të FSK-së në momentin që janë rekrutu, që i ka kushtu qytetarëve të Republikës së Kosovës shumë sepse përgatitja e një pjestari të FSK-së nga rekrutimi e deri tek pozitat e ndryshme që mund të marrin i kushton Kosovës mbi 75 mijë euro. Në këtë rast mund të them se ky është njëri ndër problemet serioze që ka të bëjë me meritokracinë. Çdo pjestar i FSK-së, sidomos, ata që rektutohen në moshën 18 , 19 apo 20 vjeç kanë për qëllim jo vetëm futjen brenda FSK-së por duan që të jenë ushtarakë në të ardhmen dhe të përfitojnë nga ofertat që bëhen për trajnime. Unë do ta përmend një fakt shumë interesant, nëse marrim trajnimet jashtë vendit, mund të shihni se kryesisht janë trajnime që vijnë përmes nepotizmit apo formave të tjera”, shtoi ai për Expose, prodhim i GazetaBlic.