Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaPër të katërtën herë pushteti bojkotoi seancat e jashtëzakonshme

Për të katërtën herë pushteti bojkotoi seancat e jashtëzakonshme

Partitë opozitare debatuan për skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës por edhe kësaj radhe pa praninë e deputetëve të shumicës parlamentare. Në seancën e drejtuar nga kryeparlamentari Konjufca, i cili nuk ishte i pranishëm në tri seanca të kaluara, u kërkua hetim nga ana e Prokurorisë për skandalet në KEK.

Për të katërtën herë më radhë ulëset e deputetëve të shumicës parlamentare mbetën të zbrazëta.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje bojkoti edhe seancën e sotme jashtëzakonshme për debatin parlamentar për skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës, por kësaj radhe jo edhe kryeparlamentari Konjufca.
Pas tri mungesave në seanca të jashtëzakonshme, ai sot u shfaq në Kuvend për drejtimin e seancës. Për këtë veprim ai mori edhe një përshëndetjeje me doza ironie.

“Faleminderit kryetar po më vjen mirë që ke ardhe dhe ta paskan dhanë lejen nga Dejona me ardhë sot në senacë”, tha Albana Bytyqi nga AAK-ja.

Në emër të deputetëve nënshkrues të seancës së jashtëzakonshme, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se Dejona Mihali ka ndërhyrë jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK-ut. Ai prezantoi rezolutën 7 pikëshe përmes së cilës kërkohet hetim për skandalet në KEK.

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e KEK-ut, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve një-burimor dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik…Kuvendi kërkon nga organet kompetente që të hetojnë ndërhyrjen e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen e KEK-ut, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimeve”, tha Arben Gashi, shef i Grupit parlamentar të LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ndërkaq tha se në KEK ka abuzime të mëdha dhe se kapaku i të gjitha abuzimeve është koordinatorja e Vetëvendosjes, Dejona Mihaili.

“Kapaku i krejt këtij abuzimi padyshim është Dejona Mihaili. Dejona na tregon se kur duhet me ble energji elektrike dhe kur duhet me shitë energji elektrike. Mesazhi i famshëm i saj me Ergysin tregon qartë e kjo korporatë apo këto 600 milionë euro të shpenzuara nga KEK-u për këto vite janë të drejtuara nga Dejona Mihali”, tha Tahiri.

Në këtë seancë u kërkua që në hetimet për gjendjen në KEK, të përfshihen eksponentë qeveritarë dhe jo vetëm.

“LDK është e bindur që përtej zotëri Nagip Krasniqit, duhen zgjeruar hetimet. Hetimet duhet të shkojnë përtej, duhet parë edhe niveli politik i përgjegjësisë, ministrja Rizvanolli, zonja Dejona Mihali deri tek Albin Kurti”, tha Driton Selmanaj i LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, tha se përgjimet e publikuara tregojnë për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave joformale në KEK. Sipas tij, ikja nga seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita tregon për pozicionin e dobët që Lëvizja Vetëvendosje.

“Tema dhe skandale që së paku meritojnë një përgjigje prej atyre që kanë fituar 50 për qind dhe na patën lodh krejt dhe drejt, e patën lodh një popull sa të mirë, të pastër dhe akademikë janë. E sot, thatë këtu, thatë këtu. S’janë as kolegët deputetë të shumicës dhe asnjë njeri i Qeverisë së Kosovës që me dhënë një fjalë me argumentu apo kundërshtuar një temë që është skandal publik që meriton përgjigje”, tha ai.

Mungesa e shumicës parlamentare në Kuvend u kritikua edhe nga deputetë të tjerë opozitarë.

“Nuk fshehët hajnia me kapuç, ju ka dalë mbi kapuça prandaj s’kanë fytyrë sot me ardhë me u përballë”, tha Bekim Haxhiu nga PDK-ja.

“E pat akuzuar Albini Ramushin t’u kanë ligë mashqit por shife tash tu kanë ligë edhe burrat edhe gratë je ligë edhe vet sepse s’po guxon me ardhë me u ballafaqua me realitetin… vrima e miut 300 grosh a thu cilën vrimë të miut është fut albini me deputetët”, tha Time Kadrijaj-AAK

“Unë po dua t’i falënderojë publikisht Drita Millakun, Doarsa Kicën e deputetëve tjerë të cilët e kanë kuptu dhe nuk iu kanë nënshtruar diktatit dhe idesë që nuk guxon me debatu në demokraci për çështje të interesit publik. Ky është paradoks. Kjo është çmenduri”, u shpreh Haki Abazi, deputet i pavarur.

Pas diskutimeve, në mungesë të kuorumit nuk u hodh në votim rezoluta përmes së cilës kërkohet hetim i keqpërdorimeve dhe skandaleve në KEK, kësisoj duke u përmbyllur seanca.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments