Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKosova renditet e fundit në Evropë për nga të ardhurat mesatare mujore

Kosova renditet e fundit në Evropë për nga të ardhurat mesatare mujore

Kosova vazhdon të përballet me pabarazi të konsiderueshme në paga krahasuar me Evropën Perëndimore, duke u renditur në vendin e fundit për të ardhurat mesatare mujore. Sipas raportit të Bankës Botërore, i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, motivet ekonomike kanë qenë shtytësi kryesor për ikjen e qytetarëve në kërkim të mundësive më të mira.

Raport i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, rendit Kosovën në vendin e fundit sa i përket fitimeve mesatare vjetore sipas vendeve, ku pagat e vendeve perëndimore u vlerësuan deri në tre herë më të larta, edhe pas përshtatjes sëë treguesve për fuqinë blerëse dhe koston e jetesës.

“Në vitet e fundit, motivet ekonomike kanë qenë shtytësi kryesor për emigracionin. Shumica e migrantëve lëvizin në kërkim të mundësive më të mira për punësim dhe pagave më të larta. Shkalla e punësimit në vendet e WB6 është dukshëm më e ulët krahasuar me ato të vendeve të destinacionit (60.3 për qind në vitin 2023, krahasuar me 70.4 për qind në BE)”, thuhet në raport.

Inflacioni i paprecedentë në dekadat e viteve të fundit, i cili arriti kulmin në 14.2 për qind në verën e vitit 2022, i dha një goditje të madhe fuqisë blerëse të vendit, me raportet ndërkombëtare që tehksuan se masat e qeverisë ishin të pamjaftueshme për të mbrojtur shtresat e dëmtuara.

Kjo diferencë e madhe e pagave po shtynë qytetarët drejt migrimit për mundësi më të mira ekonomike. Në Evropën Perëndimore, punët me pagesë më të lartë në vende si Gjermania, Zvicra dhe Austria mbeten destinacion kryesor për kosovarët që kërkojnë një cilësi më të mirë të jetës.

Raporti vë në dukje një çekuilibër të madh gjinor në migrimin nga Kosova. Dominimi i burrave në migracion i atribuohet pikërisht faktorit ekonomik, pasi – vlerëson raporti – ata kanë më shumë gjasa të kërkojnë punë sezonale ose të përkohshme jashtë vendit.

Sfidë e migrantëve mbetet edhe puna nën kualifikimet e tyre. Kjo mospërputhje në shkathtësi dhe role nënvizon sfidat me të cilat ballafaqohen sidomos qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë për t’u integruar në tregjet e punës të vendeve pritëse, pavarësisht nga nivelet e tyre të larta arsimore.

“Në mesin e emigrantëve me arsim të lartë, 46 për qind e burrave dhe 41 për qind e grave janë të mbikualifikuar për punën e tyre, një sfidë veçanërisht e përhapur për ata me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria”, thuhet në raport.

Ndërsa shumë kosovarë largohen për perspektiva më të mira ekonomike, migracioni nuk është gjithmonë një vendim i përhershëm. Raporti i Bankës Botërore tregon se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve të Ballkanit Perëndimor kthehen në vendet e tyre.

Megjithatë, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, numri i të kthyerve konsiderohet i ulët në krahasim me madhësinë e diasporës. /Nacionale

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments