Partia në pushtet (LVV), nuk mori pjesë në seancat e fundit të thirrura nga opozita, e Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se partia në pushtet duhet të mundësojë debatin që kërkon opozita
Situatën e javëve të fundit në Kuvend, Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), po e quan situatë kritike.
Haxholli thotë se që nga sesioni pranveror seanca të shumta kanë dështuar, e që njëjtë thotë se po vazhdon edhe në sesionin vjeshtor.
“Javët e fundit kemi një situatë kritike në kuvend edhe ashtu kemi pasur një mosfunksionim të mirëfillit të kuvendit pothuajse tërë vitin, që nga sesioni pranveror, seanca të shumta që kanë dështuar në mungesë kuorumi dhe ligje të pakta që janë miratuar gjatë këtij viti. Kështu filloi edhe sesioni vjeshtor, tri seanca që u mbajtën asnjëra prej tyre nuk a arritur të përfundojë suksesshëm dhe tani janë mbi 20 pika të rendit të ditës që po presin trajtimin nga ana e kuvendit janë edhe rreth 50 projektligje që duhet të miratohen nga kuvendi përfshirë edhe marrëveshje të shumta ndërkombëtare,” tha Haxholli për RTV Dukagjini.
Sipas Haxhollit, partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), duhet të jetë e pranishme në seancat e thirrura nga opozita.
E shqetësuese për KDI, ajo thotë se është mosprania e kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca në seanca, ku thekson se e ka obligim kushtetues.
“Partia në pushtet duhet të mundësojë debatin që kërkon opozita, dhe çfarë ka qenë shqetësuese për ne si institut është mungesa e kryetarit të kuvendit që tri seanca të kuvendit nuk ka ardhur fare e ai e ka obligim kushtetues që t’I kryesojë seancat,” shtoi Haxholli.
Teksa shton se aktualisht ka një kuvend të “paralizuar”.
“Është mospërmbushje e rolit të partisë në pushtet, partia që i fiton zgjedhjet e ka për detyrë të garantojë mbarëvajtje dhe funksionim të institucioneve kushtetuese, aktualisht kemi një kuvend të paralizuar, një kuvend që nuk mund të ushtrojë rolin e tij ligjvënës, e kjo po mundësohet nga partia në pushtet.”