Shqipëria çel sot negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian për grup kapitullin e parë, në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare në Luksemburg.
Sot në konferencë Shqipëria përfaqësohet nga Kryeministri Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithë përfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE u dorëzua më 24 prill 2009. Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.