Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë në lagjet luksoze në Prishtinë dhe përreth kryeqytetit.
Rasti i fundit ka ndodhur në lagjen Qëndresa në Veternik, ku hajnat janë futur në një shtëpi në rrugën “Ibrahim Dalliu”.
Sinjali mëson se vjedhja u denoncua nga pronari i shtëpisë, i cili ka dhënë detaje se si hajnat u futën brenda duke thyer derën dhe vodhën një armë zjarri.
Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do ndërmerren posa të kapen personat që dyshohen se kanë kryer veprën.