Përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje i janë kundërpërgjigjur kritikave të emisarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili ka thënë se Qeveria duhet t’i kryej punët e saj dhe ta dërgojë Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Në Vetëvendosje thonë se deklarimet e Sarrazinit janë pasqyrim i qasjes jo balancuese të BE-së në proces të dialogut. Ndërsa, në opozitë thonë se Qeveria duhet t’i dëgjojë porositë e zyrtarëve të Gjermanisë.
Deklaratat kritikuese të emisarit të posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin, ndaj Qeverisë, janë quajtur jo parimore nga partia në pushtet Vetëvendosje.
Emisari Sarrazin një ditë më parë porositi Qeverinë e Kosovës që t’i kryej punët e saj dhe ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Deputeti, Agon Batusha, tha se këto deklarata janë vetëm reflektim i qëndrimit të Bashkimit Evropian, i cili sipas tij, ka qasje jo balancuese në dialog.
“Kjo Është faktikisht thyerja e parimit të dialogut sepse marrëveshja për Asociacionin është në kuadër të disa marrëveshjeve dhe nuk ka qenë as e para e as e fundit, prandaj ne kemi kërkuar që të kemi një parimësi sa i përket dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes dhe kemi parë që zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe lehtësuesit është sipas dëshirës. Pra është që të marrin një marrëveshje të cilën ata dëshirojnë dhe thonë se kjo duhet të zbatohet. Ndërsa, marrëveshjet e tjera nuk i zbatojnë apo nuk bëjnë presion për zbatimin e tyre. Prandaj Kosova ka kërkuar që të ketë balancim, dhe të ketë sekuancim të balancuar. Kjo që ka thënë Sarrazin është komplet qasja e BE-së deri tani e ndërmjetësuesve që t’i plotësojnë kërkesat e Serbisë në kurriz të Kosovës e cila po paguan për qetësimin e Serbisë”, tha Batusha.
Nëse Qeveria nuk ndërmerr hapa urgjent për themelimin e Asociacionit emisari gjerman Sarrazin ka paralajmëruar se Kosova rrezikon që të dështojë sërish për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai ka thënë se Gjermania është duke e bërë punën e saj për ta ndihmuar Kosovën, por tha se i mbetet Qeverisë që të kryej obligimet.
“Ju keni një draft që është shkruar nga BE-ja dhe partnerët dhe miqtë tuaj e që është një draft i mirë. Ne duam që ju ta merrni këtë draft. Unë mendoj që ju mund ta bëni, edhe nëse politika ndryshon apo jo, por në fund iu dërgon juve në Këshillin e Evropës nëse e çoni në Gjykatën tuaj Kushtetuese”, tha Sarrazin.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se porositë që vijnë nga zyrtarëve të lartë të shtetit gjerman duhet të merren seriozisht sepse, siç tha, Gjermania është vend mik i Kosovës. Kritikon Qeverinë për mungesë strategjie.
“Konstatimi i parë është që kjo Qeveri asnjëherë nuk ka pasur politik pro aktive. Në secilën temë që lidhet me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar ajo ka qenë reaktive. Në raport me deklaratat e Sarrazinit janë dy cështje: edhe shumica dërrmuese e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e vonuar në adresimin publik të problemeve që ka shkaktuar kjo Qeveri. Nëse kthehemi mbrapa, Gjermania ka qenë mbështesja kryesore e kësaj Qeverie në të gjitha pikat e mundshme. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk ndodh pa Gjermaninë, pa Francën pa QUINT-in. Forcimi në rrafshin më të gjerë ndërkombëtar nuk ndodh pa SHBA-të. Shtëpia nuk mbahet pa miq e lëre më shteti”, tha Tahiri për rtv21.
Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ia rikujton Sarrazinit dhe të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtar që kërkojnë ta kushtëzojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me Asociacionin, se për këtë cështje Asambleja Parlamentare ka hedhur poshtë cdo amendament që është tentuar një kushtëzim i tillë. Sipas tij, Qeveria nuk pranon të themelojë Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Është dërguar një letër zotimi që marrëveshja e arritur në Bruksel do të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe e kemi proceduar çështjen e Manastirit të Deçanit sado e dhimbshme që është, është proceduar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, për çka të bllokohemi tutje. Nëse Kosova duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë, ne jemi duke i bërë detyrat e shtëpisë. Ne nuk kemi thënë që Asociacioni është i ndaluar në Kosovë. Asociacionit janë me të drejtë kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, por jo atë që e don Vuçiqi. Nuk mundet që Asociacionit të ketë kompetenca ekzekutive sepse Kushtetuta nuk e lejon”, tha Batusha.
Shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri, nuk pret nga Qeveria që ta dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, për shkak se vendi është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.
“Propozimet e Serbisë për Asociacionin nuk kanë kalu. Problemi me Qeverinë është se luan me fjalë, ka pranua marrëveshjen e Brukselit ku është e saktë kërkesa për themelimin e Asociacionit, ka pranua një plan të veprimit të marrëveshjes së Ohrit dhe pastaj është tërhequr prej saj pasi që ka dërguar një letër zonja Bërnabiq. Unë nuk pres asnjë veprim konkret prej kësaj Qeverie që ndërlidhet me këtë temë. Këta janë në zgjedhje, janë fushatë çka do që flasin”, tha Tahiri.
Në maj të këtij viti Kosova kishte dështuar të futet në agjendën për anëtarësim në Këshillin e Evropës për shkak të kushtëzimit me themelimin e Asociacionit, pavarësisht se paraprakisht ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla i kishte dërguar letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohej se Qeveria e Kosovës do ta zbatojë obligimin për Asociacionin, por kjo letër ishte vlerësuar si e vonuar.
Grupi parlamentar i përbërë nga pushteti dhe opozita ditë më parë gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Evropës kanë kërkuar që Kosova të futët sërish në agjendë, por nuk kanë marrë përgjigje.