Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaKurti medias ukrainase: Duam që të çliroheni në gjithë territorin nga trupat...

Kurti medias ukrainase: Duam që të çliroheni në gjithë territorin nga trupat ruse -Vuçiq është Putini i vogël në Ballkan

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve të Ukrainës UNIAN, ku ka folur për ndihmën e Kosovës për Ukrainën, për atë si funksionon Kosova pranë fqinjit të saj armik dhe nëse Rusia do të bëhet ndonjëherë një vend demokratik.

Kurti ka thënë se Kosova po i ndjek zhvillimet në Ukrainë dhe “jemi të indinjuar nga agresioni ushtarak i paligjshëm, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër një shteti fqinj”.

“Ne duam që Ukraina të fitojë. Kjo fitore, nga këndvështrimi im, do të thotë çlirim i të gjithë territorit të vendit nga trupat ruse, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët, respektim i sovranitetit shtetëror dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë ndër të tjera kryeministri në këtë intervistë.

Ai tha se kur shpërtheu një luftë në shkallë të gjerë në Ukrainë, “të gjitha kujtimet nga e kaluara u kthyen. Edhe për ne ishte e vështirë, sepse populli i Kosovës në agresionin ndaj Ukrainës e pa gjithë tmerrin që përjetoi në vitet 1998-1999 gjatë luftës në vendin e tyre”.

“Një arsye tjetër për mbështetjen tonë për Ukrainën është më shumë politike, e lidhur me pasojat e mundshme për Ballkanin. Mund të supozohet se Rusia ka plane për të zgjeruar luftërat që po bën. Përfshirë territorin e rajonit të Ballkanit”, deklaroi Kurti.

Kryeministri thotë se Bashkimi Evropian ka arritur shkallën më të lartë të unitetit për shkak të luftës në Ukrainë.

Tutje, Albin Kurti u pyet edhe për raportet mes Kosovës dhe Ukrainës.

“Para disa vitesh, një gazetar më pyeti: ‘Nëse pavarësia e Kosovës shpallej në mënyrë të njëanshme dhe interpretohej si ushtrim i të drejtës për vetëvendosje, atëherë po për vetëvendosjen e Krimesë, sepse atje kishte referendum?’. Unë u përgjigja se vetëvendosja ishte demokratike dhe në referendumin e Krimesë pashë ushtarë rusë që mbanin kuti votimi. Është e pamundur të pretendohet se kjo është një shprehje demokratike e vullnetit apo garantim i së drejtës për vetëvendosje. Gazetari nuk kishte më pyetje”, u shpreh Kurti fillimisht, teksa tha se rasti i Kosovës dhe i Krimesë janë raste të kundërta, “sepse Krimenë e ka pushtuar një shtet i huaj, Federata Ruse, ndërsa Kosova është çliruar”.

“Në territorin e saj jetojnë 92% e shqiptarëve që donin të çliroheshin nga Serbia. Kjo lëvizje u përkrah edhe nga pakicat kombëtare. Përveç kësaj, shumë serbë, të cilët përbëjnë 4% të popullsisë së Kosovës, gjithashtu dëshirojnë të jetojnë këtu dhe të mos jenë nën direktivat e Beogradit”.

“Në vendin tonë në vitet e 90-ta u shpalos një luftë popullore për çlirim, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Si kundërpërgjigje, Serbia filloi gjenocidin. Serbia ka bërë shkatërrimin e qëllimshëm të shqiptarëve në territorin tonë në fund të shekullit të 19-të, pastaj gjatë Luftës Ballkanike, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore”.

“Imagjinoni, në vitin 1999, 19 anëtarë të NATO-s vendosën së bashku të bombardojnë një vend evropian – Serbinë. Sot, ne shohim se 19 vende nuk do të ishin në gjendje të miratonin një deklaratë për shtyp për disa çështje”.

“Pastaj ata së bashku thanë: ‘Po, duhet t’i bombardojmë’. Është keq, por ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar gjenocidin. Situata ishte e tillë që çlirimi i Kosovës ishte kryengritje e popullit dhe e Ushtrisë Çlirimtare. Dhe ndërhyrja e NATO-s nuk mund të krahasohet me pushtimin e Krimesë”, potencoi kryeministri Kurti.

Më tej, duke u ndalur te raportet mes Kosovës dhe Ukrainës, Kurti tha se vitin e kaluar ka qenë në një takim midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve ballkanikë në Athinë.

“Në të njëjtën kohë, ne nuk patëm një takim të veçantë. Para kësaj pata një bisedë telefonike me ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba. E takova edhe gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, sërish bashkë me liderë të tjerë ballkanikë”.

“Mendoj se në mesin e autoriteteve ukrainase ka disa analogji të rreme mes situatës në Donbas, Krime dhe Kosovë. Sipas meje, nëse ka paralele, kjo është vetëm midis forcave proruse dhe strukturave ilegale të Rusisë në Krime dhe Donbas dhe strukturave serbe që kemi në Kosovë, veçanërisht në veri”.

Ndër të tjera, Kurti foli edhe për ndihmën që Kosova po i jep Ukrainës në trajtimin e minave, si pjesë e Koalicionit të Veprimit ndaj Minave. Xhenierët kosovarë, tha ai, kanë përvojë shumë të mirë në deminimin e territoreve në periudhën e pasluftës.

“Aktualisht, ushtria jonë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës janë duke zhvilluar trajnime për ushtrinë ukrainase në qendrën e trajnimit të kërkim-shpëtimit, si dhe kurse për mbrojtje kimike, bërthamore dhe biologjike. Më shumë se 100 ukrainas janë trajnuar për deminim në trajnimet e MAT Kosovë në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

“Ministria jonë e Mbrojtjes, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, në kuadër të bashkëpunimit Interflex, trajnojnë rekrutët e Forcave të Armatosura të Ukrainës në taktika luftarake. Deri më sot, në kuadër të këtij operacioni janë trajnuar tashmë 34 mijë luftëtarë”.

Ai tregoi edhe për ndihmat që vendi ynë i ka dërguar për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

“E para përfshinte kamionë taktikë ushtarakë dhe automjete të tjera, e dyta – 10 mijë mina mortajash të kalibrave të ndryshëm”, tha Kurti.

Veç kësaj, ai tha se Kosova, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, iu bashkua vullnetarisht 13 paketave të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Bjellorusisë “dhe marionetave të tyre”, si dhe mbështeti të gjitha sanksionet e ShBA-së, ndaloi hyrjen e personave me pasaporta ruse ose karta qëndrimi.

Megjithatë, ai tha se “ka disa përjashtime, për shembull, për diplomatët”.

Po ashtu, kryeministri tregoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për pranimin e mundshëm të deri në 5 mijë refugjatë nga Ukraina. Kurti tha se edhe regjimi i vizave për qytetarët e Ukrainës u hoq përkohësisht në mënyrë të njëanshme.

Gjithashtu, ai tha se Kosova është pjesë e programit të Rezidencës, i cili parasheh pritjen dhe mbështetjen e 20 gazetarëve ukrainas. “Aktualisht, 14 prej tyre jetojnë në Prishtinë dhe vazhdojnë të punojnë për mediat e tyre”.

“Ne mbështesim Ukrainën për dy arsye. Para së gjithash, nga ana humanitare, ne mendojmë se kjo është detyra jonë. Kur dikush ka nevojë për ndihmë, ne duhet të solidarizohemi, sepse kjo është ajo që na bën njerëz. Dhe, së dyti, ne besojmë se populli ukrainas dhe shteti ukrainas janë në anën e duhur të historisë, duke mbrojtur pavarësinë e tyre. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim atë”, potencoi kryeministri Albin Kurti.

Më tutje, kreu i ekzekutivit u ndal edhe te çështja e përfundimit të luftës. Ai i pati disa këshilla për popullin ukrainas që të kenë kujdes, pikë së pari, në privatizimin.

“Bazuar në përvojën tonë, unë kam një supozim se pas luftërave shkatërruese, ka gjithmonë një kërkesë për privatizim në shkallë të gjerë dhe ju duhet të kuptoni se kjo qasje mund t’ju shkatërrojë ekonomikisht. Kujdes nga korporatat e mëdha që duan të blejnë potencial zhvillimi – objekte prodhimi, tokë ose burime të tjera shumë lirë – sepse jeni të shkatërruar”, thotë Kurti.

Ai thotë më tej se kur njerëzit janë shumë të etur për investime, kjo mund të abuzohet.

Ndërsa së dyti, ai këshillon ukrainasit që t’i koordinojnë aktivitetet e donatorëve në vend dhe të rregullojnë grantet që marrin. “Duhet të kesh programin tënd me strategji, projekte, aktivitete dhe pastaj t’u thuash donatorëve çfarë të duhet, kërkesa duhet t’i paraprijë ofertës dhe jo anasjelltas”.

“Këtu janë dy këshilla: jo privatizimit në shkallë të gjerë dhe sa herë ka ndihmë dhe donatorë, ju kontrolloni dhe pyesni se çfarë saktësisht ju nevojitet”.

“Si jetoni pranë një fqinji që dëshiron të të vrasë? E kam fjalën për afërsinë e Kosovës me Serbinë. A keni ndonjë rekomandim për këtë pozicion për ukrainasit që do të mbeten fqinjë të rusëve pas luftës?”, u pyet Kurti nga UNIAN.

“Një fqinj i pakëndshëm duhet të qëndrojë në shtëpinë e tij. Ne nuk mund ta ndryshojmë historinë, nuk mund të ndryshojmë gjeografinë, por mund të kemi një të ardhme më të mirë. Nuk ka dyshim se Ukraina do të ketë nevojë për një ushtri të fortë edhe pas çlirimit dhe askush nuk do të jetë në gjendje të ndihet i sigurt derisa Rusia të bëhet një demokraci. Kjo do të thotë se ajo mund të bëhet një republikë ose federatë republikash dhe jo një perandori e shekullit të 18-të”.

“Ju nuk mund të flini mirë nëse fqinji juaj dëshiron të jetë një perandori. Dhe ky është një problem që e kemi edhe me Serbinë. Ky vend quhet republikë, por po ta shikosh me vëmendje, sillet dhe vepron si një monarki, ku presidenti ka shumë pushtet për të respektuar të drejtat e njeriut, pluralizmin dhe të gjitha ligjet”.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti e quajti presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq një “Putin të vogël”.

“Serbia dhe Rusia bashkëpunojnë dhe tregtojnë armë. Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. Rusia është partneri i katërt më i madh tregtar i Serbisë pas Gjermanisë, Kinës dhe Italisë”, tha Kurti.

Kryeministri tha se ka “shumë besim në NATO”.

“Nuk mendoj se brezi ynë mund të mendojë për një ombrellë më të mirë sigurie për demokracinë dhe përparimin sesa Aleanca e Atlantikut të Veriut. Kështu që unë me të vërtetë dua të shoh NATO-n të forcohet në mbarë botën, por veçanërisht në Evropë. Dhe garancitë e sigurisë që na duhen duhet të jenë në kuadër të aktiviteteve të saj”, potencoi Kurti.

Veç tjerash, kreu i ekzekutivit tha se si Kosovës, ashtu edhe Ukrainës ju duhet BE-ja.

“Nëse doni siguri dhe paqe, është NATO. Vendet tona kanë nevojë për anëtarësim në të dyja organizatat”, theksoi kryeministri Albin Kurti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments