Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaCorrWatch: Dhjetëra pozita nëpër ministri e agjenci mbahen jashtëligjshëm

CorrWatch: Dhjetëra pozita nëpër ministri e agjenci mbahen jashtëligjshëm

Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin për vazhdimin e praktikës së mbajtjes së pozitave drejtuese me ushtrues të detyrës (UD) në administratën publike edhe pas tejkalimit ligjor.

Iniciativa CorrWatch ka theksuar se në vazhdimësi ka reaguar lidhur me këtë praktikë dhe pasojat negative që është duke shkaktuar, por se sipas tyre, fatkeqësisht situata vazhdon të mbetet e njëjtë.

“Më 26 shtator 2024 janë bërë 1 vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Zyrtarët Publik (LZP) dhe një shumicë e konsiderueshme e pozitave drejtuese (sekretar të përgjithshëm, drejtor departamenti dhe udhëheqës i divizionit) vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre edhe pse afati ligjor ka skaduar. LZP ka vendosur disa rregulla dhe afate kohore sa i përket ushtruesve të detyrës ku ndër të tjera edhe maksimumin e ushtrimit të një pozitë që është 6+6 muaj ose 1 vit. Për ilustrim, nga gjithsej 16 ministri të Qeverisë (përfshirë Zyrën e Kryeministrit), 8 prej tyre funksionojnë me ushtrues detyre. Ndërsa sa i përket agjencive ekzekutive, 29 prej tyre janë me ushtrues detyre/zëvendësues”, thuhet në reagim e CorrWatch, pjesë e të cilit janë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe INDEP-i.

Në reagim theksohet se tejkalimi i këtij afati përveç që është paligjshmëri në vetvete, “prodhon edhe një pasojë tjetër juridike që është shpallja e paligjshme e çdo vendimi të marrë nga ushtruesi/ja i/e, pas kalimit të afatit 1 vjeçar siç përcaktohet nga vet LZP”.

“Shpallja e paligjshme e vendime të nxjerra nga ushtruesit e detyre pas afatit 1-vjeçar, marrë parasysh natyrën e vendimeve të nivelit të lartë drejtues, rrezikon dhe cenon rëndë të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave të cilat janë të garantuara me ligj sidomos në ato institucione të cilat ofrojnë shërbime publike administrative. Tejkalimi i afatit ligjor për ushtruesit e detyrës është shkelje ligjore si e mbikëqyrësve të drejtpërdrejtë ashtu edhe të mbajtësve të pozitave të caktuar si ushtrues detyre”, thuhet në reagim.

iniciativa Corrwatch u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprimet  të menjëhershme ligjore në rekrutimin e pozitave të lira në administratën publike.

Sipas saj, vazhdimi i dukurisë të ushtruesve të detyrës, i cili ka degraduar në normë për vite të tëra, është një praktikë e papranueshme dhe duhet të marrë fund pa vonesa.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments