Siç edhe u paralajmërua gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi mëngjesin e sotëm drejt Brukselit, për të marrë pjesë në drekën e punës, nikoqire e së cilën është presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në këtë drekë pune, siç njofton Kryeministria, do të marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim u konfirmua pjesëmarrja e të gjithë liderëve të BP-së, përfshirë dhe Vuçiqin, shkruan Indeksonline.
Gjatë ditës së djeshme, zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero, deklaroi se takimi në fjalë është për Planin e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
“…Për të deklaruar në thelb gjendjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit tonë në kuadër të Planit të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Komisioni është duke finalizuar vlerësimin e tij në lidhje me agjendat e paraqitura nga partnerët perëndimorë”.
“Këto janë agjenda reformash që mbulojnë si reformat në aspektet socio-ekonomike, ashtu edhe në fushat themelore. Dhe sapo të finalizojmë këtë vlerësim, padyshim që do të konsultohemi me shtetet anëtare në komitetin e ardhshëm të IPA-së, në rast të një vendimi pozitiv nga komiteti IPA, atëherë komisioni do të miratojë agjendat”, ka thënë Pisonero.