Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka folur për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar.
Para gazetarëve ai tha se nuk është i fushës të flas për këtë çështje, por që për nga definicioni aktakuza e ngritur ka goditur në shenjë.
Konjufca shpreson që mos të ketë ngadalësim në zhvillimin e procedura gjyqësore.
“Është një aktakuzë e cila mendoj që për nga definicioni i çështjeve që i kanë ngritur ka goditur në shenjë, për arsye se ne e kemi thënë gjatë gjithë kohës. Synimi i grupit terrorist ka qenë aneksimi i një pjesë të Republikës së Kosovës. Ka pas që kanë bërë shaka, por kjo s’është hajgare. E dyta, grupi terrorist e ka pasur mbështetjen e plotë të Serbisë gjithë kohës, ky është pretendimi i dytë i aktakuzës. Dhe e treta dhe e katërta janë tentimi për me shkatërru rendin Kushtetues dhe sigurinë, dhe e katërta ishte aspekti i kriminalitetit të madh që e ka bërë ky grup terrorist duke shpërndarë para në funksion të financit dhe krijimit të logjistikës për funksionalizimin e këtij grupi terrorist. Kështu që nga këto, tash çka na nevojitet është mos të kemi ngadalësim në zhvillimin e procedurave gjyqësore”, deklaroi Konjufca para gazetarëve.