Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaOpozita: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë është veç për fushatë

Opozita: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë është veç për fushatë

Në mbledhjen e fundit të  Qeverisë së Kosovës është votuar projektligji i ndryshuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Para votimit, kryeministri Kurti ka thënë se “pavarësisht tendencave për ta zvarritur jetësimin e këtij ligji, Byroja do të bëhet”.

Kryeministri Kurti tha se Byroja gjithashtu do të shërbejë edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare.

Në anën tjetër, deputeti Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës  është deklaruar në lidhje me ligjin e ri për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ai theksoi se ende nuk e ka parë draftin e këtij Ligji dhe shprehu dyshime nëse ka vazhduar me praktikat e mëparshme të shkeljes së Kushtetutës ose nëse ligji po përdoret thjesht për qëllime politike, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.

Ai e konsideron këtë nismë si të paefektshme, duke u bazuar në kufizimet teknike dhe procedurale të rregullores së Kuvendit.

Sipas tij, nëse vlerësojmë sesi ligjet kalojnë në Kuvend dhe me afatet e ngushta që kemi tani, është e pamundur që ky ligj të kalojë në këtë legjislaturë.

“Nuk e kam parë ende draftin e këtij ligji , nëse kanë vazhduar me avazin e vjetër për të shkelur Kushtetutën, apo për ta përdorur një ligj vetëm sa për fushatë siç e kanë përdorur para 4 viteve, atëherë kjo nuk kalon ,kjo nismë tash realisht edhe nuk ka vlerë sepse teknikisht dhe proceduralisht nëse e shikojmë rregulloren e kuvendit është e pamundur të kalojë në këtë legjislaturë”, tha Beqa.

Ai e kritikoi qeverinë aktuale për përdorimin e këtij ligji si një mjet fushate, duke argumentuar se nuk ka pasur interes të vërtetë për miratimin e ligjit dhe se ai është thjesht një tentativë për të manipuluar opinionin publik në prag të zgjedhjeve

“Nismat ligjore tani e tutje që iniciohen nga qeveria e Republikës së Kosovës për të ardhur në kuvend duke pasur parasysh që jemi në sesionin e fundit dhe janë shpallur zgjedhjet me 9 shkurt dhe diku në fund të tetorit shkojmë në pushim  të sesionit vjeshtor kjo nënkupton që nuk janë të interesuar që ta kenë këtë ligj, nuk kanë qenë të interesuar sepse kanë bërë kundërshtim me kushtetutën, vetëm është mjet për fushatë asgjë më shumë”, deklaroi Beqa.

Në një reagim ndaj  vendimit për  Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, deputetja Time Kadrijaj nga Alenca për Ardhmërinë e Kosovës  e kritikoi qeverinë për qasjen e saj në këtë çështje.

Ajo e akuzoi qeverinë për krijimin e ligjeve që ajo i sheh si anti-kushtetuese, dhe që, sipas saj, janë në shkelje të parimeve të drejtësisë dhe të Kushtetutës.

Kadrijaj e theksoi se këto ligje nuk vetëm që janë të papranueshme nga pikëpamja ligjore, por gjithashtu dëmtojnë besueshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të Kosovës.

“Ne në çdo rast adresojmë shqetësimet e nuk rreshtim ti bëjmë publike e edhe kundërshtimet. Po kjo qeveri mashtruese me tendencën e kapjes se institucioneve po bën  ligje anti kushtetuese, te cilat shkelje po i konfirmon edhe vet gjykata kushtetuese”, tha Kadrijaj

Deputetja Kadrijaj kritikoi gjithashtu performancën e qeverisë, duke theksuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies.

Sipas saj, këto probleme kanë kontribuar në një dëmtim të madh të imazhit të Kosovës si në nivel të brendshëm ashtu edhe në raport me aleatët ndërkombëtarë. Ajo akuzoi qeverinë për përdorimin e veprimeve ad hoc dhe të pa menduara në përpjekje për të ruajtur mbështetje politike dhe për të manipuluar opinionin publik, veçanërisht në një periudhë zgjedhore.

Kadrijaj e kritikoi gjithashtu qeverinë për qëndrimin e saj ndaj çështjeve të rëndësishme, duke pretenduar se ajo është më e interesuar për përfitime partiake të ngushta sesa për mirëqenien e vendit dhe për marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

“Performanca e keqe e kësaj qeverie, jo transparenca jo llogaridhënia e kane dëmtuar këtë pushtet. Tash meqenëse jemi ne proces zgjedhor po mundohet me veprime ad hoc te pa menduara e te pa koordinuar dëshiron ti ruaj votuesit e ri ushqej militantet se jemi duke punuar për premtimet e dhëna. Bile, bile ankohen se deputetet dhe gjykata kushtetuese s’po na lejojnë te bëjmë reforma dhe përmbushjen e premtimeve”, deklaroi Kadrijaj.

Sipas saj, kjo qeveri ka dëmtuar rëndë vendin dhe ka kontribuar në një izolim të mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e bërë vendin më të sanksionuar dhe më pak të lidhur me aleatët e saj strategjikë.

“ Kjo qeveri e ka dëmtuar  shtetin e po vazhdon ta beje çdo dite: S’po ju intereson çmimi i vendit po për baze e kane interesin e ngushtë partiak. Prandaj jemi vend i sanksionuar , zbehje te raporteve me aleatet tone dhe izolim i vendit!”, përfundoi Kadrijaj.

Ish-shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli është deklaruar mbi  ligjin e ri të miratuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ai theksoi se, nëse ky ligj shërben si një mjet efektiv për parandalimin e korrupsionit, atëherë është një hap në drejtimin e duhur.

Megjithatë, Pacolli theksoi se është e rëndësishme të sigurohet respektimi i të drejtave të njeriut, sidomos e drejtës për pronën private. Ai e theksoi se çdo akuzë duhet të mbështetet me prova dhe fakte të qarta, dhe jo të ndodhin situata ku individët janë të akuzuar pa një bazë të fortë ligjore

“Nëse shërben si instrument për parandalimin e korrupsionit është mire por duhet te kemi kujdes për respektimin e te drejtave te njeriut e sidomos te drejtën për pronën private. Ai qe akuzon është i detyruar te sjell provat dhe faktet e jo anasjelltas”, tha Pacolli./Front Online

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments