Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka dhënë tender në vlerë prej 5 mijë e 700 euro për furnizim me pliko për shpërndarjen e faturave. Dhënia e kësaj kontrate vjen pas gjobës 20 mijë euroshe që i shqiptoi Agjencia për Informim dhe Privatësi, për shkeljen e dispozitave për sigurinë e të dhënave personale.
Në dosjen e tenderit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, theksohet se me këtë tender parashihet furnizimi me 399 mijë e 950 pliko.
Kompania të cilës i është dhënë tenderi është “INFOSOFT OFFICE SH.P.K”.
Vlera e saktë e kontratës është 5 mijë e 799 euro.
Gjoba ndaj KRU “Prishtina” është shqiptuar në muajin gusht, pas shpërndarjes së faturave pa zarfe.
“Shqiptohet gjobë në vlerë prej 20,000.00 Euro, ndaj “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina” Sh.A, në cilësinë e kontrolluesit…për shkeljen e dispozitave për sigurinë e të dhënave personale”, thuhet në vendim.
Zëdhënësja e kësaj kompanie Arjeta Mjeku, ka thënë se vendimi i AIP-së është apeluar dhe është kërkuar nga gjykata kompetente për pezullim të këtij vendimi, deri në një shqyrtim të rregullt gjyqësor.
Sipas saj, kompania është përballur me sfida që sipas saj i kanë pamundësuar të sigurojë zbatimin e mbrojtjes së të dhënave personale.
“KRU ‘Prishtina’ Sh.A., ka filluar shpërndarjen e faturave të mbyllura në pliko, mirëpo ka qenë e pamundur të fillohet për të gjithë konsumatorët duke marrë për bazë numrin e lartë dhe koston. Praktikisht ekzistojnë edhe vështirësitë në implementim e të cilat nuk varen krejtësisht nga KRU ‘Prishtina’ siç janë kutitë postare te objektet kolektive të konsumatorëve të cilat mungojnë e që do të lehtësonin këtë proces”, ka deklaruar Mjeku.
AIP në fund të muajit shkurt kishte kërkuar që faturat të vendosen nëpër zarfe kur të njëjtat të shpërndahen te qytetarët. Ndërsa afati për plotësim të kësaj kërkese ka qenë fundi i muajit qershor, data 30.06.2024.
“Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre”, thuhej në njoftimin e AIP-së më 02.07.2024.
“Ndërmarrjet Publike dhe Private janë të obliguara të ndërmarrin masat e duhura të sigurisë me rastin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët (shpërndarjes së faturave) dhe të vendosin masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rreziqeve të mundshme të keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve”, ishte thënë në njoftimin e 2 korrikut të këtij viti.