Më 29 gusht është hapur afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deri më tani 2 mijë e 559 persona kanë aplikuar për t’u regjistruar që të votojnë përmes postës apo në një nga përfaqësitë diplomatike.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se 2 mijë e 310 kërkesa janë aprovuar, ndërkq 249 të tjera janë refuzuar.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 11 shtator 2024, janë pranuar 2,559 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 2,310, ndërsa 249 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, ka thënë Elezi.
Gjithashtu, Elezi ka treguar se cila është forma më e kërkuar për të votuar e shtetasve të Kosovës.
“Nga 2,310 aplikime të aprovuara, 964 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 212 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 1,134 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tha Elezi.
KQZ ka filluar periudhën e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Aplikimi për regjistrim mund të bëhet përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-në.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në momentin e regjistrimit, votuesi mund të përcaktohet individualisht për mënyrën e votimit:
1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;
2. Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë;
3. Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.