Sunday, November 24, 2024
HomeBotaZyrtarët palestinezë thonë se një sulm izraelit vrau të paktën 40 veta...

Zyrtarët palestinezë thonë se një sulm izraelit vrau të paktën 40 veta në një zonë humanitare

Një sulm izraelit në një kamp tendash që strehonte palestinezë të zhvendosur nga lufta në Gaza, vrau të paktën 40 njerëz dhe plagosi 60 të tjerë mëngjesin e së martës, thanë zyrtarët palestinezë. Izraeli tha se kishte vënë në shënjestër militantë “të rëndësishëm” të Hamasit dhe mohoi numrin e të vdekurve.

Ky ishte ndër sulmet më vdekjeprurëse deri më tani në Muwasi, një zonë që shtrihet përgjatë bregut të Gazës, të cilën Izraeli e caktoi si një zonë humanitare për qindra mijëra civilë.

Mbrojtja Civile e Gazës tha se reaguesit e saj të parë gjetën 40 trupa pas sulmit dhe familje të tëra u vranë në tendat e tyre.

Spitali Nasser në Khan Younis, një nga tre spitalet ku janë dërguar viktimat, tha se më shumë se një duzinë trupash u sollën pas sulmit. Një kameraman i agjencisë së lajmeve Associated Press, pa 10 trupa në morgun e spitalit, përfshirë dy fëmijë dhe tri gra.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur militantët e Hamasit, duke përfshirë tre persona të identifikuar si operativë të lartë, në një qendër komandimi dhe kontrolli të vendosur në zonë. Ai tha se të tre ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e 7 tetorit dhe sulmet e tjera të fundit kundër Izraelit dhe forcave izraelite.

Daniel Hagari, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, kundërshtoi numrin e raportuar të viktimave në një postim në platformën X, duke thënë se raportet “nuk përputhen me informacionin që ka (ushtria izraelite)”.

Hamasi lëshoi një deklaratë duke mohuar se ka pasur ndonjë militant në zonë, duke i quajtur akuzat izraelite një “gënjeshtër”. As Izraeli dhe as Hamasi nuk dhanë prova për të vërtetuar pretendimet e tyre.

Lufta në Gaza u nxit nga sulmi i Hamasit në tetor të vitit të kaluar në Izraelin jugor, që la pas vetes rreth 1200 të vrarë. Rreth 250 veta u morën peng. Sulmet hakmarrëse të Izraelit kanë lënë pas vetes më shumë se 40,900 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, megjithëse ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin disa mijëra militantë.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë kaluar muaj të tërë në përpjekje për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe për të siguruar lirimin e pengjeve, por negociatat kanë ngecur vazhdimisht. /VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments