Vjeshta në Bruksel zakonisht nis furishëm në mes të shtatorit, kur presidentja e Komisionit Evropian mban fjalimin vjetor të Bashkimit Evropian para Parlamentit Evropian. Përmes këtij fjalimi, që zakonisht zgjat rreth një orë, shpalosen prioritetet politike të krahut ekzekutiv të BE-së që do të nisin apo do të përmbyllen në muajt në vijim.
Por, kjo vjeshtë nuk do të jetë e zakonshme në Bruksel, pasi BE-ja është në proces të ndryshimit të udhëheqësve. Në qershor, udhëheqësit e BE-së vendosën që ish-kryeministri portugez, Antonio Costa, do të zëvendësojë Charles Michel në postin e presidentit të Këshillit Evropian më 1 dhjetor. Javë më vonë, PE-ja miratoi vendimin e udhëheqësve të BE-së për t’i dhënë gjermanes, Ursula von der Leyen, edhe një mandat pesëvjeçar në krye të KE-së. Por, në vend të mbajtjes së një fjalimi tjetër vjetor në shtator, von der Leyen do të jetë e zënë duke formuar ekipin e saj të ri me 26 komisionarë, një nga secili shtet tjetër anëtar i BE-së. Disa kryeqytete veçse kanë paraqitur kandidatët e tyre për komisionarë para afatit të 30 gushtit. Pasi von der Leyen t’i intervistojë të gjithë kandidatët, ajo do të caktojë në portofolio politikash për secilin.
Kallasi dhe Varhelyi
Deri më tani, dihet vetëm një emër dhe një portofolio: Përveç emërimit në qershor të Costas dhe von der Leyenit, udhëheqësit e BE-së po ashtu kanë vendosur që kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, të jetë pasardhëse e spanjollit Josep Borrell, në postin e shefes së re të politikës së jashtme. Megjithatë, kjo nuk është punë e kryer. Sikurse 25 kandidatët e tjerë për komisionarë, Kallasi po ashtu do të përballet me seanca dëgjimore para komiteteve të rëndësishme të PE-së. Në rastin e Kallasit, komiteti më i rëndësishëm është ai për Punë të Jashtme, anëtarët e së cilit do të marrin në pyetje edhe komisionarin e ri për Zgjerim të BE-së.
Diplomatët në BE i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se seanca dëgjimore me Kallasin është caktuar më 29 shtator. Në fakt, cikli i lajmeve në Bruksel në pjesën e dytë të shtator dhe në fillim të tetorit do të dominohet nga këto seanca dëgjimore. Ato i ofrojnë PE-së mundësinë për të treguar muskujt duke refuzuar një sërë kandidatësh për komisionarë, që besohet se nuk performojnë mirë gjatë përgjigjeve gjatë seancave dëgjimore. (Herën e fundit, më 2019, deputetët evropianë refuzuan tre kandidatë, dhe më pas ishte në duart e shteteve “sponsorizuese” që të propozonin shpejt emra të rinj për seanca të reja dëgjimore).
Një prej kandidatëve për komisionar që do të përballet me eurodeputetët sigurisht që do të jetë politikani hungarez, Oliver Varhelyi. Ai është nominuar nga Budapesti për një mandat të ri pesëvjeçar si komisionar për zgjerim. I akuzuar nga shumë diplomatë se vendosë interesat e Budapestit para të Brukselit – Varhelyi ka qëndrim të butë ndaj Serbisë dhe Gjeorgjisë, por jo dhe aq ndaj Ukrainës – ai u përfshi në një skandal pasi duke mos e ditur se e kishte ende të ndezur mikrofonin, gjatë një seance plenare ai i quajti eurodeputetët “idiotë”.
Përderisa Varheyit ka pak të ngjarë që t’i ofrohet sërish që të udhëheqë zgjerimin, megjithatë atë e pret punë e vështirë që të bindë ligjvënësit se është personi i duhur për të udhëhequr ndonjë portofolio që do të mund t’i besohet nga von der Leyen. Në disa qarqe ka shpresë se çdo komisionar dhe Komisioni i ri Evropian në tërësi të miratohet në Parlamentin Evropian në mënyrë që të nisë punën më 1 dhjetor. Por, nuk përjashtohet mundësia që kjo çështje të zvarritet përtej kësaj date.
Dialogu Kosovë-Serbi
Asnjë nga zyrtarët evropianë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë nuk pret që të ketë rrezik real për miratimin e Kallasit. Por, do të jetë interesant të dihet se çfarë ajo dhe komisionari i ri i zgjerimit do të thonë për Ukrainë, Rusinë dhe Ballkanin Perëndimor dhe për mundësinë që të shtohen anëtarë të rinj në bllok. Nuk pritet ndonjë ndryshim radikal në këtë drejtim. Politika e BE-së është e vendosur për mbështetje të plotë për Ukrainën dhe përpjekja e ripërtërirë për zgjerimin e serishëm të bllokut është reformuar dhe shtetet kandidate po plotësojnë të gjitha parakushtet. Por, mënyra se si do të përcillen këto mesazhe është thelbësore.
Kallasi ka reputacionin se është “kritike e Rusisë”, ndoshta shefja e parë e diplomacisë së BE-së që ka një qëndrim të tillë të fortë karshi Moskës. Duhet të theksohet se i gjithë blloku ka lëvizur më afër qëndrimit të shteteve të Baltikut ndaj Moskës që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës dy vjet e gjysmë më parë, por kishte dyshime kur emri i saj u përmend për këtë post, pasi ajo kishte qenë shumë kritike për të qenë kryediplomate e BE-së.
Prandaj, pritet që ajo të zbusë pak tonin kur të takohet me eurodeputetët dhe pritet që ajo të flasë edhe për tema të tjera, e jo vetëm për Rusinë dhe Ukrainën. Në fakt, nuk do të ishte befasi nëse ajo do të fliste në mënyrë të barabartë edhe për luftën në Gazë, për raportet me shtetet në jug të Mesdheut dhe për nevojën për raporte më të forta me fuqi të tjera nga “Jugu Global”, përfshirë Brazilin dhe Indinë. Po ashtu, nuk mund të përjashtohet mundësia që udhëtimi i parë i saj jashtë vendit, pasi të marrë postin e ri të jetë në shtetet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë BE-në, në vend se në Ukrainë. Një zgjedhje e tillë, thjesht mund të jetë për të vënë në pah rëndësinë e këtyre shteteve.
Diplomatët po ashtu i kanë thënë REL-it se presin që ajo të jetë gati të merret me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi aktual i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, më 2020 i kërkoi ish-ministrit të Jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak, të shërbente si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogut. Por, ky proces ka prodhuar pak përparim real dhe duket se posti që aktualisht mban Lajçaku mund të hiqet plotësisht kur Kallas të bëhet kryediplomatja e re e bllokut.
Zgjerimi i BE-së?
Po ashtu do të jetë interesante të shihet se kë do të zgjedhë von der Leyen në postin e komisionarit për Zgjerim. Me zgjerimin e BE-së që sërish është temë e nxehtë – me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, që janë shtetet e fundit që janë ftuar së fundi t’i bashkohen bllokut dhe dy të fundit vlerësohet se kanë bërë përparim real – më shumë shtete të BE-së janë të interesuara që ta marrin këtë dikaster, për dallim nga viti 2019 kur vetëm Budapesti kishte kërkuar këtë post. Pasi që Estonia, që cilësohet si shtet anëtar “lindor” në Bruksel, mori postin e politikës së jashtme do të ishte befasi nëse ndonjë “lindor” tjetër do të merrte udhëheqjen e zgjerimit. Me gjasë, von der Leyen do të shikojnë që në këtë post të vendosë dikë nga jugu apo perëndimi, në mënyrë që të ketë balancë gjeografike dhe të shmangë akuzat se fokusi i vetëm i bllokut është tek Ukraina. Gjëja që duhet vëzhguar sa i përket komisionarit për zgjerim, sigurisht, është se a do të ketë ndonjë referencë kohore se kur mund të ndodhë zgjerimi i ardhshëm i BE-së.