Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka thënë për Ekonomia Online se veprimet e Qeverisë Kurti në veri të vendit dhe moskoordinimi me bashkësinë ndërkombëtare, kanë qenë të ngutshme dhe populiste.
Rexhepi ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sponzoriues të Pavarësisë së Kosovës dhe se përplasjet e fundit sipas tij nuk i bëjnë nderë Kosovës.
“Çdo qytetar që e do vendin e vetë ka dëshirë të shohë stabilitet, mirëqenie dhe sovranitet në tërë territorin. Qeveria e Kosovës është ngutur, ishte një fjali e Hovenierit ku thoshte ‘ju lutem mos veproni në këtë kohë’. Shtetet e Bashkuara të Amerikës luten vetëm te aleatët. ShBA e ka përgjegjësi dhe janë ata që e ndalën gjenocidin e madh në Kosovë. Jemi dëshmitarë të gjenocidit në Srebrenicë, me siguri në Kosovë do të ndodhnin tre ose katër gjenocide të tilla sepse kanë qenë të gatshme. ShBA-ja janë sponsorizues të pavarësisë së Kosovës”.
“ShBA ka lobuar për njohjet e mëdha dhe shtetin e ri të Kosovës. Ata investuan ushtarakisht e ngritën për herë të parë NATO-n me funksionua për Kosovën. Për të gjithë ata që pak kapin erë në diplomaci e shohin që në Ukrainë me një shtet me mbi 80 milionë banorë, shtetet perëndimore po e ndihmojnë ushtarakisht, nuk po luftojnë për të, por për neve kanë luftuar. Përmes ShBA-së arritëm që ‘de facto’ të jemi pjesë e NATO-s”, ka thënë Rexhepi, teksa veprimet e fundit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, i sheh të mangët në aspektin e lobimit. Të kundërtën e mendon atë të Serbisë.
“Vendimet e Qeverisë janë të ngutshme dhe nuk janë në formën e duhur, nuk e kanë përgatitur terrenin, nuk kanë lobuar mjaftueshëm. Për një vendim politik të këtij lloji duhet lobim prej qeverisë, njësisë së punëve të jashtme, të ambasadorëve tanë. Lobi serb ka punuar fuqishëm dhe po vepron për nevojat e tyre. Në diplomaci ai që është më i mençur përfiton”.
“Nëse del një kryeministër dhe thotë që një deklaratë e sekretarit të ShBA-së ,që sekretari është naiv dhe del departamenti i shtetit me qëndrime dhe dalin zyrtarët e departamentit të shtetit e të kongresit dhe senatit me qëndrime të caktuara, jo nuk do ta bënin këtë gjë, sepse nëse ShBA është sponsorizues i pavarësisë së Kosovës, atëherë edhe ata dalin keq me deklarata të tilla. Veprimi momental politik nuk është në nivelin e duhur. Veprimet politike duhet të bëhen në koordinim me faktorin ndërkombëtar, posaçërisht me aleatët që janë dëshmuar sinqertë. Në aspektin populist, veprimet janë të mira, por nëse ne mendojmë në aspektin politiko-diplomatik nuk janë të mira”, u shpreh Rexhepi.
Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ka thënë se deklaratat populiste janë të dëmshme dhe mund të ketë pasoja në të ardhmen.
“Ne mendojmë që vetëm Amerika është ajo që vepron, por Kosova është e ndarë në shumë zona. Janë shumë shtete që marrin pjesë përmes NATO-s për ruajtjen e stabilitetin të Kosovës, janë shumë shtete që kanë investuar ekonomikisht nga BE. Ka shumë faktorë që janë lojë, nuk mundë t’ia lëmë fajin vetëm ShBA-së për hapje apo mos hapje. Deklaratat populiste në këtë kohë janë shumë të dëmshme dhe mundet t’ju kushtojnë pasardhësve tanë”, ka thënë Rexhepi, teksa përmend edhe ashpërsimin e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, si pasojë e moskoordinimit të Qeverisë me faktorin ndërkombëtar.
“Edhe Bashkimi Evropian doli me një qëndrim që do t’i ashpërsojnë masat. A mendoni që ato masa do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve? Ky është problemi. Unë jam për zgjidhje dhe sovranitet sepse për atë është punuar para lufte dhe për këtë sovranitet është derdhur gjak. Por, në diplomaci nuk ka drejtësi, por mençuri, fiton ai që është më i aftë dhe jo e drejta. Ky është mesazhi im që të punohet më shumë dhe të veprohet më shumë dhe më mençur dhe në koordinim me ShBA-në dhe me aleatët e tjerë”, u shpreh Rexhepi.