Gjykata Speciale ka njoftuar se në rastin gjyqësor Januzi dhe të tjerët, është marrë vendim për kalimin e dosjes së çështjes dhe për dorëzimin e dosjeve paraprake prej mbrojtjes.
Pasi mbrojtja e Januzit ka kërkuar zgjatjen e afatit aktual dhe duke pasur parasysh se mbrojtja e Haxhi Shalës nuk ishte e pranishme në seancën e datës 12 korrik, gjykatësja e procedurës paraprake vendosi të njëjtën ditë, proprio motu (me iniciativë të saj), të anulojë afatin e mëparshëm për dorëzimin e dosjeve paraprake të mbrojtjes, i cili ishte planifikuar për datën 15 korrik.
“Mbrojtja e Januzit është udhëzuar që të dorëzojnë kërkesën e tyre për zgjatjen e afatit për dorëzimin e dosjes së tyre paraprake deri të hënën, më 15 korrik 2024, ndërsa përgjigjet e mundshme nga palët e tjera deri më 16 korrik. Pas synimit të mbrojtjes së Januzit për të dorëzuar një mocion paraprak në lidhje me akuzën e re në aktakuzën më të fundit të përbashkët, gjykatësja Masëlo (Masselot) gjithashtu anuloi datën për kalimin e dosjes së çështjes tek Trupi Gjykues, e cila ishte planifikuar për 22 korrik”, njofton Specialja.