Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se me ftesën e presidentit amerikan Jo Biden mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s, në Washington D.C.
Ajo tha se është hera e parë që Kosova përfshihet në një samit të tillë dhe për këtë shprehu mirënjohje.
“Isha e nderuar që me ftesë të Presidentit Biden, ta përfaqësoj Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s, në Washington D.C. Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në këtë samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 25 vite më parë NATO shpëtoi popullin tonë nga shfarosja. 25 vite pas, kam nderin që t’i bashkojmë forcat me aleatët në mbështetje të Ukrainës, nëpërmjet themelimit të iniciativës Compact Ukraine”, ka shkruar ajo.
Në përfundim të Samitit, Presidenca ka njoftuar se Osmani ka biseduar me Presidentin Biden, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ka pasur mundësi të diskutojë edhe me liderë të tjerë nga disa shtete të botës.
niciativa Compact Ukraine, si aktivitet përmbyllës i Samitit të NATO-s, është pjesë e përkushtimit të NATO-s dhe partnerëve të saj për sigurinë afatgjate të Ukrainës. Kjo iniciativë e NATO-s, krijon një arkitekturë gjithëpërfshirëse të sigurisë për t`i forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës.
Biden njoftoi se aleatet do të mbështesin nevojat e mbrojtjes dhe sigurisë së Ukrainës për sigurinë e saj afatgjatë./Express/