Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaA është siguruar buka e motmotit? Mullistët: Herët për shifra, nuk sigurohen...

A është siguruar buka e motmotit? Mullistët: Herët për shifra, nuk sigurohen 300 mijë tonët që i duhen Kosovës

Rendimenti i grurit është rritur padyshim sivjet, por as a do të arrihet të mbulohet konsumi vjetor mbetet të shihet pas përfundimit të korrje-shirjeve. Për ministrin Faton Peci, kjo është punë e kryer: është siguruar buka e motmotit. Nga Shoqata e Mullistëve shprehen pak skeptik nëse do të arrihet të sigurohet e gjithë sasia për të cilën ka nevojë vendi, mirëpo e pranojnë se ky vit i ka zënë në befasi. Një rritje të tillë thonë se as që e kanë kalkuluar.  

 

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është shprehur i bindur se Kosova s’do të ketë nevojë sivjet që ta kërkojë bukën nëpër shtete të tjera, siç ka bërë viteve të mëparshme. Ky vit, sipas tij, do të jetë me rendiment rekord të grurit, më i larti në historinë e Kosovës së pasluftës.

“Të dhënat nga terreni tregojnë, fatbardhësisht, për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës ne sigurojmë bukën e motmotit. Një angazhim i tillë është falë përkrahjes së Qeverisë, punës së zellshme të fermerëve dhe begatisë prej Zotit”, ka deklaruar Peci në nisje të fushatës së korrje-shirjeve, para katër ditësh.

Deklaratës së Pecit, nuk është se i besuan të gjithë. Pas dyshimeve që u ngritën, ai vendosi që të dalë edhe me disa shifra, ku përllogariti nevojën për kërkesën, e u shpreh edhe më i bindur se është siguruar buka e motmotit.

“Së paku do t’i kemi 300.000 tonë grurë të prodhuar”, shkroi Peci, derisa tha se vendi konsumon mesatarisht 260.000 ton grurë në vit. Kjo shifër dallon shumë, me atë që Ministria që udhëheq Peci kishte ofruar për Gazetën Express para dy vitesh.

“Nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 200 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 360,000 tonë grurë”, kishin deklaruar në nëntor të vitit 2022 nga MBPZHR’ja.

Nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës thonë se është herët që të dilet me shifra të sakta.  Kryetari i Mullistëve, Bashkim Zejzullahu, është shprehur skeptik se do të sigurohet e gjithë sasia për të cilën ka kërkesë dhe nevojë vendi.

Nuk sigurohet 100 përqind sasia prej 300 mijë tonëve për të cilën kemi kërkesë edhe nevojë Kosova. Kosova konsumon diku 300 mijë tonë në vit”, ka deklaruar Zejnullahu për Express.

Mirëpo, e pranon se ky vit i ka zënë në befasi me rritjen e rendimentit.

“Herët është me u prononcu për të dhëna të sakta. Është e vërtetë që kemi një rritje të papritshme, është rritje që s’e kemi kalkulu as ne, por tash me dal me numra është shumë herët. Është pak edhe për ne, befasi na ka zanë. Nuk e kemi kalkulu këtë sasi, ta them sinqerisht.  Unë mendoj se shumë është herët me u prononcu. Ne jemi në mes të sezonës së korrje-shirjeve, por nëse themi se kemi arrit me rrit kapacitetin me 10-20 përqind, ne jemi shumë të kënaqur”, ka deklaruar Zejnullahu.

Por, nëse shifrat që ka prezantuar Peci dalin të sakta, Zejnullahu thotë se vetëm duhet të përgëzohet Ministri. Ai sqaron se të dhënat i merr vetëm nga mullistët, duke theksuar se jo i gjithë gruri dërgohet nëpër mullinj, meqë ka që e ruajnë edhe nëpër shtëpi.

“Nëse Ministri thotë se ne kemi prodhim këtë vit 300 mijë tonë, them atëherë që e kemi siguru. Por, duhet të jenë 300 mijë tonë”, ka thënë ai.

Ai ka lavdëruar punën që ka bërë ministri për rritjen e sasive të grurit, ku tha se po të mos bëheshin ndryshime nga ai, vendi s’do të kishte as 30 përqind furnizimin me grurë.

“Ministri Peci ka bë punë shumë të madhe për rritjen e sasive të grupit. Po të mos ishin ndryshimet që i ka bërë Ministri Peci, sot nuk do t’i kishim as gjysmën e sasive që i kemi. Rritja e subvencioneve, afrimin e kushteve më të mira për punë, nuk kishte me ndodhë që ne me I prodhu as 150 mijë tonë.  E përgëzoj Ministrinë për punën që ka bërë për fermerin , përndryshe sot Kosova nuk do të kishte as 30 përqind furnizim me grurë”, ka thënë Zejnullahu.

Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim për këtë çështje edhe nga Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqësisë, Tahir Tahiri, mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm. Poashtu, ka kërkuar edhe të dhëna mbi importin e grurit nga Dogana e Kosovës, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka pranuar përgjigje. Përgjigje s’ka kthyer as Ministria e Bujqësisë kur është pyetur lidhur me sipërfaqet e mbjella.

Se sivjet ka rritje të rendimenteve të grurit, ka deklaruar edhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Bulliqi ka thënë se nga bisedat me fermerët, sivjet rendimentet me grurë janë më të lartat që nga paslufta, nga 6 mijë deri në 7.2 mijë kg për hektarë.

“Ka pak ditë që në Podujevë ka filluar fushata e korrje-shirjeve të grurit. Nga bisedat me fermerë sivjet rendimentet me grurë janë më të lartat që nga paslufta, nga 6 mijë deri në 7.2 mijë kg për hektar. Për ta përcjellur fushatën ishim sot tek Vëllezërit Sejdiu, të cilët kanë mbjellur mbi 150 hektarë me grurë dhe 150 hektarë të tjerë me kultura të tjera bujqësore. Fermerëve llapjanë iu urova që fushata e korrje-shirjeve t’iu ecë mbarë dhe me sa më shumë bereqet! Nga toka jonë për bukën tonë!”, ka shkruar Bulliqi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments