Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaShea: Aleatët të riafirmojnë përkushtimin ndaj Kosovës në ditëlindjen e 75-të të...

Shea: Aleatët të riafirmojnë përkushtimin ndaj Kosovës në ditëlindjen e 75-të të NATO-s

Liderët e NATO-s do të mblidhen sot në Uashington të Shteteve të Bashkuara (SHBA) për një samit historik, por ndërsa vëmendja do të orientohet kryesisht nga Ukraina, pritjet e vëzhguesve janë që aleatët të riafirmojnë gjithashtu përkushtimin ndaj sigurisë së Kosovës, posaçërisht në dritën e realiteteve të reja gjeopolitike pas agresionit të paprovokuar rus.

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, duke pasur parasysh sfidat aktuale të sigurisë, veçanërisht pas zhvillimeve të vitit të kaluar që dëshmuan se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë, beson se aleatët e NATO-s do të kujtojë ndërhyrjen humanitare të vitit 1999 që solli lirinë e Kosovës, pikërisht në ditëlindjen e 50-të të NATO-s.

Lufta e vitit ’99-ës përfundoi pas kapitullimit të ushtrisë serbe, por nuk kapitulluan ideologjitë që çuan në luftë. Sot, siguria në Kosovë mbikëqyret nga Forca e NATO-s (KFOR). Por, pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s, shtatorin e kaluar ndodhi një sulm i armatosur në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, që ngriti shqetësime serioze për stabilitetin rajonal.

“Unë pres që samiti të kujtojë ndërhyrjen e vitit 1999 si pjesë e riafirmimit të përkushtimit të NATO-s për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu pres që aleatët të thonë se KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe të përsërisin vendosmërinë për të parandaluar dhe luftuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën”.

Alon Ben-Meir, profesor dhe njohës i politikës amerikane në rajon, konsideron gjithashtu se në Samitin e NATO-s, fokusi kryesor do të jetë adresimi i sfidave të sigurisë, duke përfshirë forcimin e aftësive parandaluese dhe mbrojtëse, shtimin e forcave në vende të ndryshme, rritjen e partneriteteve dhe përforcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

“Edhe pse çështjet kryesore të agjendës janë lufta në Ukrainë dhe mbrojtja strategjike, situata në Kosovë është gjithashtu pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të NATO-s, megjithëse nuk është në agjendën e samitit, por mund të adresohet gjatë diskutimeve. Mesazhi për Rusinë, përfshirë Serbinë, është se NATO do të qëndrojë e gatshme për të përmbushur angazhimet për sigurinë e Kosovës”.

Ben-Meir shton ndër të tjera se diskutimet e përgjithshme rreth Kosovës pritet të përqendrohen në mënyrë karakteristike rreth këtyre operacioneve të mbështetjes së paqes, forcimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat, potencon ai, kanë implikime më të gjera për sigurinë rajonale dhe interesat strategjike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, për shkak se tensionet Kosovë-Serbi janë bërë pjesë e një problemi të madh të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, mund të shpërthejnë konfliktet e ngrira, sidomos në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, aleatët do t’i bëjnë thirrje liderëve në Kosovë e Serbi që t’i normalizojnë raportet mes tyre.

Shea vlerëson se liderët e NATO-s do t’i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rifillojnë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese, përfshirë marrëveshjen bazike të vitit të kaluar. Në ketë kontekst, argumenton Shea, vendi i vogel ballkanik duhet të anëtarësohet në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe (PfP).

“Kam kërkuar prej kohësh një përmirësim të marrëdhënieve midis NATO-s dhe Kosovës – anëtarësimi në PfP dhe akses në menunë e plotë të aktiviteteve të bashkëpunimit, duke përfshirë të drejtën për të konsultuar Këshillin e Atlatnikut në situata krize. Por nuk kam asnjë indikacion se aleatët janë dakord për të ndërmarrë këtë hap apo nëse samiti do të dalë me iniciativa të reja në lidhje me situatën në Kosovë”.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, autoritetet në Kosovë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO, duke filluar nga programi i PfP-së, i cili është krijuar në vitin 1994. Megjithatë, duke qenë se brenda NATO-s janë pesë shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania – përmbushja e “ëndrrës transatlatike” të Kosovës mbetet ende larg.

Ndryshe, derisa vazhdon lufta në Ukrainë, pasiguria do të jetë realitet i përhershëm, ndërsa përpjekjet për siguri kombëtare, preokupim i vazhdueshëm i Kosovës.

Pritja e samitit jubilar të NATO-s në Uashington ka peshë simbolike për Kosovën – nëse në vitin 1999 ditëlindja e NATO-s solli lirinë e Kosovës, ditëlindja e 75-të ka për sfidë sigurinë e Ballkanit Perëndimor nga revizionizmi serb.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments