Udhëheqësit e Bashkimit Evropian përfunduan pa marrëveshje një diskutim të hënën se kush duhet të marrë postet kryesore të bllokut evropian për pesë vitet e ardhshme.
Vendimi për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së synohet të merret në një takim të nivelit të lartë javën e ardhshme.
Takimi i drejtuesve evropianë ishte i pari që nga zgjedhjet për Parlamentit Evropian, ku partitë e qendërs së djathtë, por edhe e djatha e skajshme shënuan fitore, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz pësuan humbje të fortë.
Gjatë darkës në Bruksel, 27 udhëheqësit evropian diskutuan se kush duhet të drejtojë organin e fuqishëm ekzekutiv të Komisionit Evropian, kush duhet të drejtojë Këshillin Evropian dhe kush duhet të marrë postin e shefit të Politikës së Jashtme.
Pritej gjerësisht që ata të propozonin zonjën Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si Presidente e Komisionit Europian, ish-kryeministrin portugez Antonio Costa si President të Këshillit Europian dhe kryeministren e Estonisë Kaja Kallas si shefe të Politikës së Jashtme.
Por presidenti aktual i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se u nevojitej më shumë kohë.
“Ishte një bisedë e mirë e cila po shkon në drejtimin e duhur. Por nuk ka marrëveshje sonte”, u tha ai gazetarëve pas darkës.
Ursula Von der Leyen mbetet në pozitat më të favorshme për të siguruar edhe një mandat tjetër si Presidente e Komisionit Evropian, sidomos pas fitores së partisë së saj të qendrës së djathtë, Partisë Popullore Europiane në zgjedhjet që u mbajtën nga 6-9 qershor.
Franca kishte shqyrtuar më parë edhe mundësinë e kandidaturave të tjera veç zonjës Von der Leyen, por tani që presidenti Macron thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare qeveria preferon qëndrueshmërinë e Bashkimit Europian.
Gjermania e ka bërë të qartë se mbështet zonjën Von der Leyen për një mandat tjetër.
Mundësia që udhëheqësit të marrin formalisht një vendim është takimi i nivelit të lartë që do të mbahet më 27 dhe 28 qershor.