Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi ka thënë se “përmbajtja e raportit është pozitive”.
“Raporti i Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Bislimi.
Zëvendëskryeministri, njëherit kryenegociatori për dialog me Serbinë, ka shtuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.
“Në bazë të informatave që neve na kanë ardh, raporti i z.Borrell i cili është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitime të dërgohet pasi siç duket ka ende disa individë brenda komisionit kanë interesa që të vazhdohet masat ndaj Kosovës. Raporti është dashur të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit kanë kërkuar shtyrje dhe do të dërgohet gjatë javës. Përmbajta e raportit me sa di është pozitive dhe do të rekomandohet heqja e masave”, ka thënë Bislimi, përcjell teve1.info
Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të tensionimit të situatës në veri.
Kosova vazhdimisht i kishte cilësuar këto masa si të padrejta.
Për heqjen e këtyre masave,BE kishte kërkuar masa për depërshkallëzim të situatës, shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriorë dhe krijimin e Asociacionit.
Në krahasim me majin e vitit të kaluar situata aktuale në katër komunat në veri është e qetë, ndërsa që në prill të këtij viti u mbajt edhe votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktual në këto komuna.
Dalja e vogël e qytetarëve në zgjedhje bëri që kryetarët aktual të mos shkarkohen.