Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka pritur në takim Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Evropë, Artur Lorkoëski dhe delegacionin e tij.
Sipas komunikatës së ministrisë, në këtë takim është diskutuar për gjendjen aktuale të energjisë elektrike në Kosovë dhe investimet që e presin Kosovën në këtë sektor.
“Ministrja Rizvanolli theksoi se, sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Evropë e ka mbështetur Kosovën në shumë procese të rëndësishme, përfshirë këtu edhe rreth kornizës ligjore dhe menaxhimit të krizës energjetike, për çfarë edhe e falënderoi zotin Lorkoëski për përkrahjen“, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimit, bëhet e ditur se janë trajtuar po edhe çështjet më të rëndësishme aktuale të energjisë, në veçanti për Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), Harmonizimin e Politikave Mjedisore me Politikat Evropiane (ETS) dhe Marrëveshjen për Tregun e Energjisë Elektrike.
Përveç kësaj, me theks të veçantë u diskutuan edhe sfidat aktuale dhe proceset e lehtësimet që mund të ofrojë Bashkimi Evropian në rrugën drejt transformimit energjetik të vendit.