Sunday, November 17, 2024
HomeLajmeKosovaQeveria ndan 577 mijë euro për MKRS-në, shpronëson toka dhe i kërkon...

Qeveria ndan 577 mijë euro për MKRS-në, shpronëson toka dhe i kërkon Osmanit dy autorizime

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike ku janë marrë pesë vendime.

Në njoftim bëhet e ditur se qeveria ka marrë vendim për rialokimin e mjeteve në shumë prej 577 mijë e 900 euro në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e programit “masat preventive, intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme”.

Po ashtu, në këtë mbledhje u mor vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme për nevoja të ministrisë së Mbrojtjes në Suharekë dhe shpronësimin e pronave të paluajtshme në dy komuna në veri të vendit për projekte infrastrukturore.

“Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme ish shoqërore P. Sh IGK “Ballkan”, Njësia Damper, (ish Kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Komunën e Suharekës”.

“Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej bëhet e ditur se qeveria i ka kërkuar vendim presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, për dhënien e autorizimit për ministrin e Financave, Hekuran Murati, për nënshkrimin e dy marrëveshjeve për kredi.

“Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga  Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Projektin “Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.

“Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga  Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments